Veprimtari shqiptaro-amerikan Ramazan Bekteshi, i ka reaguar ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeffrey Hovenier, për hapjen e urës së Ibrit.
Ai i ka kërkuar ambasadorit Hovenier që të “bëjë historinë” si presidenti Regan dhe të hapë urën e Ibrit në Mitrovicë, sepse sipas tij, kjo nuk përkon me idealet amerikane për liri, përcjell Bota sot.
Bekteshi në shkrimin e tij në Facebook, ka kritikuar ambasadorin amerikan në Serbi Christopher Hill për afërsinë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, si dhe zyrtarët e tjerë si Richard Grenell dhe Gabriel Escobar, për kërcënimet ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Si mik i vërtetë i Kosovës që jeni, ne presim nga ju të veproni në koordinim me përfaqësuesit legjitim të Kosovës, por jo me Vuçiqin, sepse ura është në Kosovë”, ka shkruar Bekteshi për Hovenierin.
Reagimi i tij i plotë:
Ura e prangosur mbi Ibër dhe ambasadori im
“Mbyllja e urës është apartheid, hapja e saj është liri”
Sot, thellë në zemrën e errët të Balllkanit, kur plagët ende s'janë tharë e lëmshat vazhdojnë të ngatërrohen keqas mbi gjeo-peisazhin politik të saj, mu nga ata që supozohej të jenë lehtësues, posaçërisht pas agresionit paramilitar të Banjskës, që ironikisht për BE-në e SHBA-në ky agresion që erdhi nga ‘shtëpia e zotit’, manastiri i Banjskës, gati dhe pas një viti mbeti si një fantazmë.
Fatkeqësisht, ka edhe zhvillime tjera lemeritëse brenda shqiptare, kur disa vazalë shqiptarë, politikanë e gazetarë vendas me lidhje dhe pushtet mediatik, haptas e rrezikojnë integritetin e Kosovës, ku tragjeditë kombëtare i shndërrojnë në pre për profit vetanak dhe të interesave të huaja, duke mos e kualifikuar penetrimin paramilitar serb si terrorizëm e as agresion, por veprimet për kontroll e sovranitet në veri i kualifikojnë si “terror mbi serbët nga policia e Kurtit.”
Rituali ogurzi i Ramës për veriun vazhdon të mbetet një "tokë e askujt”, derisa nofullat e tij janë ndryrë keq për urën që s’do të hapet, derisa lufton krah-për-krah me Vuçiqin për “Ballkanin e Hapur”, por me ura të mbyllura!
Do të dëshiroja fort, që parlamentarët tanë kosovarë të dinin dhe të kishin kurajon, që të shprehen dhe t’i artikullonin brengat sikurse parlamentarja britanike, Alicia Kearns, për Kosovën dhe urën ajo deklaroi:
“Ndëshkim Kosovës për hapjen e një ure, ndërsa injorimi i Banjskës sugjeron se vetë procesi është thellësisht i padrejtë dhe ka nevojë për reforma urgjente. Mbyllja e urës është apartheid, hapja e saj është liri: Ndarja e Mitrovicës nënkupton vazhdimin e jetës politike të Radoiçiqit, Vulinit dhe Vuçiqit.”
Do të dëshiroja fort, që ambasadori im, Hovenier, ta bënte historinë, ashtu si Presidenti Regan kur hodhi për toke murin e Berlinit dhe bashkoi Gjermanitë. Atëbotë, shumë politikanë gjermanë iu frikësuan aktit epik e të guximshëm të Presidentit vizionar që e demoloi komunizmin. Do të dëshiroja fort që Hovenier si Regani, të hapi urën, sepse mbyllja e saj ka krijuar segregacionin e gjatë një çerek shekulli, dhe kjo mbyllje nuk përkon me idealet amerikane për liri.
Megjithatë, ambasadori Hill në Beograd, pa fije turpi vazhdon ta lavdërojë Vuçiqin, ta përkëdhel pa rezervë e pa vend, edhe kur dëshiron “botën serbe”, dhe kur tenton të destabilizojë Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën, edhe kur refuzon t’i vë sanksione Rusisë, edhe kur armatoset nga Kina, edhe kur refuzon gjenocidin, edhe kur vjedh votat e opozitës, ky ish-ministër i Millosheviqit. Mos vallë, kjo është një përpjekje dëshpëruese e Hillit që në vend se ai ta shti Vuçiqin në orbitin perëndimor, ai vet rrëshqiti në gropën e Vuçiqit.
Z. ambasador Hovenier, ne nuk dëshirojmë që ju të përkdhelni Kurtin si Hilli - Vuçiqin, por, jo as të bullizohet si që veproi Grenell, si Escobar kur kërcënonte me fjalët: ne kemi alternativa, Asociacioni do të bëhet me ose pa Kurtin, duke e shkelur keq etikën diplomatike dhe kodin e mirësjelljes. Votuesi kosovar nuk dëshiron që kërkesat legjitime të Kosovës të refuzohen në emër të një status-quo-je dhe paqes së brishtë, por në dëm të sovranitetit të cunguar që e njohët, por i frenoni ta ushtrojnë.
Z. ambasador Hovenier, populli i Kosovës, kurrë s’e harron atë se çka bëri Amerika dhe aleatët për lirinë e tij, por, për mua si shqiptaro-amerikan është frustruese kur shoh se përfaqësuesit e mi amerikanë e tolerojnë Vuçiqin edhe atëherë kur ai përzihet në punë të brendshme të Kosovës vazhdimisht si edhe në rastin e urës. Si mik i vërtetë i Kosovës që jeni, ne presim nga ju të veproni në koordinim me përfaqësuesit legjitim të Kosovës, por jo me Vuçiqin, sepse ura është në Kosovë.
Z. ambasador, ju kërkoni që ura të hapet në koordinim me miqtë, por pa caktuar asnjë afat. Ne jemi shumë skeptikë se si mund të realizohet kjo, kur njëri aleat nga QUINT-i në mënyrë dëshpëruese e lut Vuçiqin për litiumin e tij, derisa tjetri i shet aeroplanë ushtarakë edhe pranë refuzimit të tij që t’i vë sanksione Rusisë. A nuk është kjo një shkelje e konventave ndërkombëtare kur anëtarët e QUINT-it bëjnë biznes me partnerin e Putinit, a s'është kjo edhe një thikë pas shpine Ukrainës?!