Osmani në takimin me zyrtarin e lartë të NATO-s, thotë se hapja e urës së Ibrit duhet të bëhet në koordinim me aleatë

Aktuale

Osmani në takimin me zyrtarin e lartë të NATO-s, thotë se hapja e urës së Ibrit duhet të bëhet në koordinim me aleatë

Më: 29 gusht 2024 Në ora: 14:45 Përditësuar në ora: 16:23 më 29.08.2024
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pret në takim ndihmëssekretarin e Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, Prishtinë, 29 gusht.

Osmani bisedon me zyrtarin e lartë të NATO-s për çështjen e urës në Mitrovicë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti të enjten në një takim ndihmëssekretarin e Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, me të cilin bisedoi edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën e jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut, e banuar me shumicë serbe, njoftoi Presidenca.

Osmani e përsëriti gjatë takimit se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës për qarkullim edhe të automjeteve, sipas njoftimit.

“Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftim.Osmani e ka cilësuar hapjen e urës si një veprim “në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Vizitat e zyrtarëve të NATO-së dhe të tjerëve në Kosovë po zhvillohen në kohën kur Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, e kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës në këtë kohë.

KFOR-i, njëlloj sikur BE-ja, ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.Javë më parë, Osmani e priti në takim edhe ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, i cili bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e tensioneve.

Ndërkohë, të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe diskutimet me aleatët në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.

Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Osmani: Hapja e urës në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi sot me ndihmës-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, ka folur mbi rëndësinë e hapjes së urës mbi lumin Ibër.

Ajo ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës.

Hapjen e urës, e para e vendit e ka cilësuar si një veprim në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.

Ajo falënderoi NATO-n për angazhimin për paqe, siguri dhe stabilitet dhe në këtë kontekst ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat