Çka punoi Specialja gjatë kësaj jave? Përgjigjet zëdhënësi

Aktuale

Çka punoi Specialja gjatë kësaj jave? Përgjigjet zëdhënësi

Më: 29 gusht 2024 Në ora: 17:05
Michale Doyle

Michale Doyle, zëdhënës në Dhomat e specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë përmes konferencës javore ka dhënë informacion të përditësuar lidhur me punën e Gjykatës Speciale.

Ai tha se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë filluar seancat këtë javë dhe së të hënën ka filluar dëshminë Skënder Zhitia i cili ishte edhe anëtar i UÇK-së gjatë kohës së luftës. Sipas Doyle, Zhitia kishte shkruar një libër mbi historinë ushtarake të UÇK-së në atë zonë, raporton “Betimi për Drejtësi”.“Në një parashtrim me shkrim në shkurt, u shpjegua se Prokuroria do të mbështetej në dëshminë e dëshmitarit në lidhje me, ndër të tjera, formimin e një njësiti konkret të UÇK-së dhe strukturën dhe zhvillimin e një zone operative konkrete”, tha Doyle.

Zëdhënësi i DhSK-së gjithashtu tha se të martën dhe të mërkurën, një ish-anëtarë tjetër i UÇK-së ka dhënë dëshmi me masa mbrojtëse.

“Sipas parashtrimeve gjyqësore më herët në maj, dëshmitari iu bashkua UÇK-së më 1999 dhe mbajti një numër pozitash gjatë konfliktit, si rezultat i të cilave fitoi dijeni dhe informacion që lidhen me çështjen gjyqësore. Sipas këtyre parashtrimeve, Prokuroria synonte të mbështetej në deklaratën e dëshmitarit në lidhje me, ndër të tjera: (i) pushtetin e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandën e zonës, dhe pushtetin e komandantëve të brigadave mbi njësitet e brigadave; (ii) vendndodhjen e anëtarëve të caktuar të UÇK-së; dhe (iii) anëtarë të UÇK-së të pranishëm në një vend konkret në verën e 1999. Gjykatësit vendosën të pranojnë deklaratën me shkrim të këtij dëshmitari sipas rregullës 154, çka do të thotë se Mbrojtja do të ketë mundësinë ta marrë në pyetje atë në sallë të gjyqit”, tha tutje Doyle.

Ndërsa, po të njëjtën ditë një tjetër dëshmitar ka filluar dëshminë e tij më masa mbrojtëse e cila po vazhdon edhe sot e mbyllur.

Doyle tha se në të njëjtën çështje gjyqësore, mbrojtësi i viktimave ka njoftuar se një viktimë pjesëmarrëse në këtë rast ka ndërruar jetë.

“Viktima 02/06 u pranua për pjesëmarrje në proces më 21 prill 2021 për shkak se kishte vuajtur dëm fizik dhe mendor si pasojë e mbajtjes në ndalim. Tani janë 153 viktima pjesëmarrëse në proces në këtë çështje gjyqësore, përfshirë viktima shqipfolëse dhe serb folese”, tha Doyle.

Zëdhënësi i DhSK-së njoftoi se me kusht është caktuar edhe Rodney Dixon si mbrojtës i ri i Kadri Veselit pasi ka përfunduar përfaqësimi ligjor i Ben Emmerson.

Doyle tha se më 27 gusht është hedhur poshtë kërkesa e Haxhi Shalës për t’u gjykuar ndaras nga Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari me arsyetimin e mbrojtjes se klienti i saj është duke u përballur me vonesa.

“Rrjedhimisht, mbrojtja argumentoi se z. Shala duhet të gjykohet para dy të pandehurve të tjerë, që të garantohet e drejta e tij për gjykim të shpejtë. Në vendimin e saj, Gjykatësja e Procedurës Paraprake vëren se, në kundërshtim me pretendimet e mbrojtjes së Shalës, çështja gjyqësore është caktuar t’i kalohet Trupit Gjykues në të ardhmen a parashikueshme, konkretisht dy ditë pas afatit të 2 shtatorit, kur ekipet e Mbrojtjes duhet të dorëzojnë dosjet gjyqësore paraprake të tyre”, tha ai.

Tutje, ai tha se është konstatuar se arsyet që quan në bashkimin e këtyre çështjeve vazhdojnë të vlejnë edhe sot.

“Konkretisht, të tre të akuzuarit akuzohen për të njëjtat vepra penale bazuar në të njëjtat ngjarje, gjatë së cilës pretendohet se u kërcënua një dëshmitar i DHSK-së, përfshirë me kërcënim të rëndë”, tha Doyle duke shtuar se është hedhur poshhtë edhe kërkesa e Bahtjarit për të shtyre afatin për dorëzimin e dosjes paraprake.

Ai tregoi se edhe kërkesa e Januzit për apelimin enjë vendimi në lidhje me mangësi të pretenduara në aktakuzë është hedhur poshtë.

“Sikurse përmendet më lart, afati për dorëzim të dosjeve gjyqësore paraprake të Mbrojtjes është 2 shtatori dhe çështja do t’i kalohet Trupit Gjykues dy ditë pas afatit”, tha tutje ai.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat