“Të piu e zeza mos nuk je konsultuar me Ramën e Batonin…”, reagon profesori ndaj ministrit: Nuk keni merita për…

Aktuale

“Të piu e zeza mos nuk je konsultuar me Ramën e Batonin…”, reagon profesori ndaj ministrit: Nuk keni merita për…

Nga: N.E Më: 29 gusht 2024 Në ora: 18:31
Edi Rama- Baton Haxhiu

“Motrat dhe vëllezërit tanë në Prishtinë, të gjithë hapat që do të ndërmarrin duhet t’i diskutojnë së pari me ata që i duan shumë”.

Ky ishte mesazhi që ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani i dërgoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti nga bashkëbisedimi i sotëm me gazetarët në Tiranë.

Kur u pyet nëse ka pasur komunikim me qeverinë në Prishtinë lidhur me çështjen e hapjes së urës së Ibrit, Hasani tha se asnjë hap nuk duhet të ndërmerret pa konsultime dhe negociata me aleatët, përfshirë këtu Shqipërinë.

“Ne kemi qenë të qartë, gjithmonë konsekuentë me atë që kemi thënë. Për ne prioriteti i politikës së jashtme është Kosova, ndaj gjithmonë i kemi thënë motrave dhe vëllezërve tanë në Prishtinë që gjithë hapat që do të ndërmarrin duhet t’i diskutojnë së pari me ata që i duan shumë. T’i diskutojnë, debatojnë dhe negociojnë me vendet dhe organizata që e kanë bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur siç është sot, dhe këtu hyn dhe Shqipëria. Çdo punë e mirë bëhet duke u rakorduar me ata që e duan shumë Kosovën”, u përgjigj Hasani.

Ndaj, Hasanit ka reaguar profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, që ka sqaruar disa pika.

Sipas tij, “kryediplomati” e krye- krye është kryeministri Edi Rama dhe Hasani bie në kundërshtim me logon e Ramës dhe të Baton Haxhiut.

Madje, Bytyçi pyet Hasanin mos ndoshta nuk është konsultuar me Ramën e Batonin.

“Kryediplomati i Shqipërisë, Igli Hasani, i kërkoi sot Kosovës dhe qeverisë së saj që për hapjen e Urës së Ibrit të konsultohen me "ata që i kanë dhënë Kosovës lirinë"! Dhe në këtë grupim futi Fuqitë Perendimore dhe Shqipërinë.

Më duhet të sqaroj:

1. Thashë më lart kryediplomati i Shqipërisë, Igli Hasani. Këtë e shënoj për çeshtje etike, sepse nuk jam aq naiv sa të mos e kem vënë re se "kryediplomati" e krye-krye, është kryeministri Edi Rama!

2. Zoti Hasani bie në kundështim me logon e Edi Ramës dhe të Baton Haxhiut, sipas të cilëve "Liria ka emër Hashim Thaçin"! Dmth nuk ka emër as Fuqitë Perendimore, as Shqipërinë, siç sot e thoshte ministri. Se mos nuk je konsultuar me Ramën e Batonin, zoti Hasani! Të piu e zeza!”, ka shkruar Bytyçi.

Për fund, profesori ka shtuar se politika shqiptare, sidomos e majta, nuk duhet të mburret se i paska dhënë lirinë Koosvës, kjo për shkak se në fillimet e luftës bënte thirrje që “Kosova ta njohë për kryeqytet Beogradin”.

3. Shqipëria si popull ka meritën e jashtëzakonshme të pritjes së qindramijë refugjatëve të luftës në Kosovë. Por jo edhe të lirisë së Kosovës. Madje, për turpin e SHIK-ut të kohës, armët që shtetet mike të Kosovës i jepnin falas, kur vinin në Shqipëri SHIK-u i Fatos Klosit ua shiste kosovarëve. Ndërkohë politika shqiptare, sidomos e majta, nuk duhet të mburret se i paska dhënë lirinë Kosovës, kur në fillimet e luftës bënte thirrje që "Kosova ta njohë për kryeqytet Beogradin"!", ka përfunduar profesori.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat