Aksioni në veri, policia jep detaje: Mbyllen pesë objekte, konfiskohen mjete ushtarake

Aktuale

Aksioni në veri, policia jep detaje: Mbyllen pesë objekte, konfiskohen mjete ushtarake

Më: 30 gusht 2024 Në ora: 18:00 Përditësuar në ora: 20:47 më 30.08.2024
Xhelal Sveçla

Operacioni në veri, Policia: U mbyllën pesë objekte të strukturave ilegale, u konfiskuan mjete ushtarake në objektet e spitalit në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovë ka njoftuar se ka përfunduar operacionin në veri të vendit, përmes të cilit ka ndërprerë aktivitetet ilegale në pesë objekte si dhe një operacion tjetër në objektet përcjellëse në Spitalin e Mitrovicës së Veriut, ku është sekuestruar material ushtarak.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës, thuhet se operacioni policor i realizuar në veri të Kosovës, ka përfunduar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës, siç janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.

“Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar një xhaketë ushtarake, një çantë krahu,  disa fishek me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë.

“I tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për tu veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente”, thuhet në njoftim.

Edhe, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas operacionit të Policisë së Kosovës, ka treguar se sa institucione ilegale janë mbyllur.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi sqaroi se bëhet fjalë për mbylljen e disa institucioneve paralele që ishin me direktiva të Serbisë.

“Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal ka deklaruar tutje se nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës së Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se mbyllja e institucioneve serbe në veri të Kosovës do të ketë “pasoja të gjera në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Albin Kurti ka filluar të mbyllë të gjitha institucionet serbe në veri të krahinës, të cilat nuk janë institucione paralele, por institucione që duhet të jenë bazë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se institucionet e mbyllura u kanë ofruar serbëve në Kosovë “një minimum shërbimesh publike dhe ekzistenciale si, beneficione sociale përmes pagave dhe pensioneve”.

Më herët, Policia e Kosovës tha se, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e zhvilloi një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte, të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”, tha Policia.

Po këtë vit, më herët, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Sveçla tregon se cilat komuna paralele nuk do të operojnë më

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për aksionin e sotëm që po zhvillohet në katër komunat në veri.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se disa nga komunat paralele që nuk do të operojnë më.

“Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë:

1. Qarku i Mitrovicës së Kosovës

2. Komuna paralele e Mitrovicës

3. Komuna paralele e Zveçanit

4. Komuna paralele e Zubin Potokut

5. Komuna paralele e Leposaviqit”, ka thënë Sveçla.

​Aksioni në veri, mbyllen pesë komuna paralele - ministri Krasniqi jep detajet

Sot pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se me këtë rast janë mbyllur komuna paralele e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, ajo e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut dhe komuna paralele e Leposaviqit.

“Këto pesë sot i bashkohen shtatë komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash. Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka shtuar se qytetarët kanë adresën e saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Kosovës.

“Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë”, ka përfunduar Krasniqi.

​Aksion i madh policor në veri

Policia e Kosovës është duke zhvilluar aksion të gjerë në katër komunat veriore të vendit, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, pjesëtarë të policisë speciale kanë hyrë nëpër objektet ku kanë vepruar institucionet paralele të Serbisë.

Aksioni po zhvillohet në veri të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, por deri tani nuk dihet qëllimi i këtij aksioni të policisë.

KosovaPress ka provuar të kontaktojë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, por ai nuk është përgjigjur. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat