​Agani deklarohet rreth Listës për Familje, Bytyqi konfirmon kalimin e tij në këtë koalicion

Aktuale

​Agani deklarohet rreth Listës për Familje, Bytyqi konfirmon kalimin e tij në këtë koalicion

Më: 30 gusht 2024 Në ora: 18:49
Ferid Agani

Kryetari i Partisë së Drejtësisë Ferid Agani ka konfirmuar për KosovaPress se kjo parti do të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor Lista për Familje AKR-PD, por nuk ka shpalosur detaje mbi deputetët e mundshëm të Lëvizjes Vetëvendosje për të cilët po flitet se tashmë janë bërë pjesë e këtij koalicioni.

Ai ka thënë se koalicioni parazgjedhor Lista për familje do të jetë një bashkim politik në të mirën e qytetarëve duke u angazhuar për kauzën e familjes si shtyllë e palëkundur shoqërore, zhvillim ekonomik, avancime në politikën e jashtme dhe reforma përmbajtësore në shëndetësi dhe arsim.

Bashkë me Partinë e Drejtësisë, përveç anëtarësisë dhe simpatizantëve të partnerëve tonë të kahmotshëm politik AKR-së dhe liderit të saj presidentit Behgjet Pacolli, do të jenë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, intelektualë dhe figura të mirënjohura politike të radhitura në iniciativën qytetare për familjen”, ka thënë Agani.

Pjesë e deputetëve të Vetëvendosjes që do t’i bashkohen Listës për Familje janë Arsim Gërxhaliu, Eman Rrahmani, Visar Korenica, Imer Topanica e Bernard Tahirbegolli, por që këta të fundit të kontaktuar nga KosovaPress kanë qenë të pa qasshëm për të konfirmuar një gjë të tillë.

Ndërsa Asdren Bytyqi ka konfirmuar për KosovaPress se do të jetë pjesë e Listës për Familje dhe se shumë shpejt do të bëhen publike edhe zyrtarisht emrat e atyre që i janë bashkuar këtij koalicioni parazgjedhor.

Është e vërtetë. Është një bashkim i madh i grupeve politike, deputetëve të Kuvendit të Republikës, intelektualëve në një platformë të figurave të mirënjohura politike të bashkuar në këtë iniciativë të përbashkët qytetare për familjen. Për detaje do të dalim publikisht dhe do të njoftojmë shumë shpejt zyrtarisht edhe emrat e tjera publike të këtij koalicioni,” ka thënë përmes telefonit Asdren Bytyqi.  

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat