“MF aplikon kundërligjshëm tri ligje, maltretohen veteranët dhe viktimat e dhunës seksuale”

Aktuale

“MF aplikon kundërligjshëm tri ligje, maltretohen veteranët dhe viktimat e dhunës seksuale”

Më: 31 gusht 2024 Në ora: 12:12
Vendimi për tri viktimat e dhunës seksuale vërteton shkeljen e të drejtave të njeriut.

Dhjetë gra nga Kosova tash e disa vjet kanë nisur betejë ligjore me shtetin për pensionin e dyfishtë. Viktimat e dhunës seksuale kur arrijnë moshën e pensionimit, privohen nga e drejta e shfrytëzimit të pensionit të dyfishtë dhe duhet të zgjedhin vetëm njërin pension. Në bazë të interpretimit të ligjit në fuqi, autoritetet përgjegjëse nuk mundësojnë të kundërtën. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve po akuzohet për lexim të gabuar të ligjit dhe aplikim të kundërligjshëm. Për këtë çështje, Kp ka adresuar pyetje në këtë ministri, por nuk ka marrë përgjigje.

Juristë të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) kanë përgatitur dosjet e dhjetë rasteve që kërkojnë pension të dyfishtë.

Feride Rushiti, e cila është drejtoreshë e kësaj organizate, thotë se vendimi për tri viktimat e dhunës seksuale vërteton shkeljen e të drejtave të njeriut.

Rushiti: Vendimi gjyqësor tregon për shkeljen e të drejtave të njeriut

“A është apo nuk është shkelje e të drejtave të njeriut ne kemi arritur që tri vjet me radhë me i përgatit disa raste, diku rreth 10 raste janë në gjykatë, tre nga këto raste janë kthyer nga gjykata dhe vendimi gjyqësor e arsyeton shumë mirë dhe thirret edhe në Konventa Ndërkombëtare që është shkelje e të drejtave të njeriut, për faktin që secili person kur e mbërrin moshën 65-vjeçare duhet të gëzojë qoftë pensionin kontributdhënës, qoftë pensionin e pleqërisë. Ndërsa, statusi si i mbijetuar i dhunës seksuale i jepet për vuajtjet që ka përjetuar gjatë luftës. Edhe kjo i bjen në njëfar lloj dileme të mbijetuarit, sidomos gratë kur edhe nuk e kanë ndarë këtë përvojë traumatike me familjarët”, shprehet ajo.

Procesi gjyqësor për njohjen e të drejtave të tyre, siç shton Rushiti, po shkakton ngarkesë të rëndë emocionale për të mbijetuarat.

Tri viktima të dhunës seksuale e kanë gëzuar të drejtën në betejën për pensione të dyfishta, ku njëra ka vdekur gjatë procesit gjyqësor.

Rushiti: Familjarët nuk e dinin për një grua që merr pensionin, kemi dërguar ekipin për trajtim

“Ne së fundmi e kishim një rast, i cili nuk është ende në gjykatë por e arrinte këtë moshë edhe dua të them jo vetëm ajo por jemi 25 vjet pas luftës, shumë gra e burra që vijnë në organizatë e arrijnë atë moshë dhe biologjikisht po shkojnë në atë moshë. Pra, ajo ishte një situatë ku familjarët e saj nuk e dinin që ajo ka marrë një pension si e mbijetuar e dhunës seksuale. Edhe erdhi në asi lloj krize emocionale dhe psikologjike sa është dashur të dërgohet ekipi në familje që të trajtohet dhe me ja tërhjek pensionin si e mbijetuar e dhunës seksuale. Me ligjin për pension thuhet që ato zgjedhin për pensionin më të favorshëm, në këto raste ne po detyrohen gratë me dhënë dorëheqje prej 230 eurove si viktimë civile e luftës edhe me zgjedh një pension prej 100 euro. Aq më shumë kur kemi të bëjmë me këtë grup kaq të ndjeshëm, përtej problemeve të moshës që vijnë, ato kanë probleme të panumërta shëndetësore”, shton drejtoresha e QKRMT-së.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se po trajtojnë me dhjetëra raste të tilla duke ofruar ndihmë juridike falas në gjykata.

Jakaj: Ministria është duke e aplikuar kundërligjshëm këtë ligj

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në atë kohë dhe tashmë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve janë duke e lexuar dhe duke e aplikuar në mënyrë të kundërligjshme Ligjin e përgjithshëm për Skemat Pensionale, në anën tjetër edhe Ligjin për Veteranët e Luftës dhe për gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pra, ka një lexim të gabuar dhe një aplikim të kundërligjshëm të këtij ligji në raport me të gjitha grupet e caktuara, të cilat mbi bazën e këtyre dy ligjeve përfitojnë pensionin e dyfishtë. Gjykata Supreme tashmë ka vendosur praktikën e vet dhe ka interpretuar ligjin në mënyrën e drejtë se këtyre grave dhe personave të tjerë e gëzojnë pensionin e moshës, pra pensionin bazik apo kontributdhënës, plus pensionin e dyfishtë”, deklaron ai.

Ai shton se autoritetet vendore duhet të përgjigjen para drejtësisë për këto shkelje.

Jakaj: Zbatimi i tillë i ligjit është mungesë e vullnetit të qeverisë

“Interpretimi, zbatimi i tillë i ligjit në kuptimin që iu mohohet e drejta në pensionin tjetër duke iu thënë se duhet ta marrësh një pension dhe tjetrin jo, është vendim i kundërligjshëm për të cilin organet publike, zyrtarët publik do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë, sepse tashmë praktika e Gjykatës Supreme tregon që këtyre personave iu është njohur një drejtë e tillë. Në anën tjetër si IKD konsiderojmë që përbën edhe mos vullnet të qeverisë dhe të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që nuk kanë nxjerrë pastaj edhe pas kërkesës tonë një vendim të ri tjetër që ta shoqërojë pastaj edhe me dispozita të tjera me rregullore të veçanta që zyrtarët publik të mos jenë në lajthitje, në dilemë për ta zbatuar ligjin ashtu siç ka vendosur Gjykata Supreme”, shton ai.

Avokati Ardian Bajraktari konsideron që kategorive të dala nga lufta po iu shpërfillet kontributi dhe sakrifica për vendin.

Bajraktari: E pakuptimtë që po privohet kjo kategori e dalë nga lufta
“Është Ligji 04L054 që iu njeh përveçse statusin edhe beneficionet dhe të drejtat e tjera, në shenjë mirënjohje dhe kontributi për sakrificën e tyre si faktor ndërkombëtar për çlirimin e vendit dhe në kuadër të këtij ligji është neni 23, paragrafi 2 sipas të cilit natyrisht që kjo kategori së bashku edhe me kategoritë e tjera duhet të jenë përfitues të beneficioneve dhe të gjitha të drejtave që iu garantohen me këtë ligj. Prandaj, unë në bindjen time është e pakuptimtë që si privohen kjo kategori e maltretohen duke ndjekur të gjitha instancat gjyqësore nga ana e Ministrisë së Financave kur kemi parasysh faktin që përveçse është e drejtë e garantuara me ligj, kemi edhe vendime të të gjitha instancave të gjykatave të rregullta ku konfirmohet kjo e drejtë ligjore e tyre”, përfundon Bajraktari.

Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta mundëson që përfituesit e pensionit të viktimave të dhunës seksuale të luftës të jenë edhe shfrytëzues të pensionit bazë, i cili ju takon me Ligjin për Skemat Pensionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat