Imer Imeri dëshmon në Hagë për ndalimin nga UÇK-ja, përmend emrin e një komandanti që e kishte maltretuar, pyetet edhe për Hashim Thaçin

Aktuale

Imer Imeri dëshmon në Hagë për ndalimin nga UÇK-ja, përmend emrin e një komandanti që e kishte maltretuar, pyetet edhe për Hashim Thaçin

Më: 2 shtator 2024 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 13:26 më 02.09.2024
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

Imeri: Unë isha shoku i Adem Jasharit dhe jo këta këtu e ata tjerët atje

Dëshmitari Imer Imeri tha se ai ishte shok i Adem Jasharit dhe jo këtu të akuzuarit nga Specialja.

“Unë isha shoku i Adem Jasharit dhe jo këta këtu dhe ata tjerët atje”, tha Imeri të hënën gjatë dëshmisë në Hagë.

Ai tha se të akuzuarit e dinë se çfarë familje ishte familja e tij, por mjerisht për ata e keqja ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe ish-presidenti Ibrahim Rugova. Sipas tij, synohej t’i likuidojnë të gjithë që ishin në LDK.

“Ajo që më ka shty të jem i hapur është kjo që të shohin të gjithë vuajtjen time pasi është diçka gati si e pamundshme qysh me ndodhë kjo në një familje në Drenicë. Jemi një vend ma patriotik në Kosovë dhe shqiptari dhe jemi familja ma punëtore dhe ma patriotike dhe mund të kenë tregu edhe këta zotëritë që janë këtu e dinë të gjithë, por pse më ndodhi mua. Mjerisht për këta e keqja- LDK-ja, Presidenti Rugova dhe këqyrshin me na likuidu të gjithëve. Më vjen keq shumë”, tha Imeri.

Imeri tha se është njollosur emri i tij dhe i familjes se tij, pasi ai ka qenë shok i Jusuf Gërvallës e Adem Jasharit ngase edhe ai ka luftuar për Kosovën.

Imeri: Vrasjet e pasluftës me shtynë të jem i hapur me drejtësinë e t’i shikoj në sy të akuzuarit, Thaçi kërkoi në media që të zbulohen këto raste

 Dëshmitari Imer Imeri tha në Hagë se heshtja për vrasjet e pasluftës e ka shtyrë që të jetë i hapur me drejtësinë dhe t’i shikonte në sy katër të akuzuarit, pasi sipas tij ata kanë qenë në institucione. Por, ai shtoi se Hashim Thaçi ishte i vetmi që kërkoi në media që të zbulohen këto raste.

Ai tha se kulmi i të këqijave që i kishin ndodhur ishte vrasja e vëllait të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është vështirë me i harru sikur mos të m’u kish vra vëllai, ndoshta isha përpjekë me i harru, por kulmi i të gjithave të këqijave që ma vranë vëllain. Një djalë i një familje kombëtare, një djalë i shkollum, kur u ba me i vy shtetit e vetit me u çu me e vra, me ia marrë jetën edhe me thanë s’di kush e vrau. Këta katërtit janë të institucioneve të Kosovës ku kanë shërby. Me u vra gjithë ata njerëz dhe mos me ditë kush i vra. Heshtje, gjithmonë heshtje. Ajo më ka shty të jem i hapur përpara drejtësisë këtu e t’i shiqoj në sy. Jam shumë i kënaqur me juve të nderuar. Zoti qoftë i kënaqur me juve si unë”, tha Imeri.

Ai pohoi se është takuar edhe me Thaçin, të cilin e kishte pyetur se pse është burgosur dhe keqtrajtuar.

“Më ka thanë se nuk e ka ditë”, tha dëshmitari, duke shtuar se i ka thënë që i vjen keq dhe se takimi ishte në fund të vitit 2016 e në fillim të vitit 2017.

“I vetmi Hashim Thaçi ka kërku në media që të zbulohen këto raste, vrasjet e LDK-së dhe e ka thirrë prokurorin e përgjithshëm në atë kohë dhe ai u deklaru”, tha Imeri.

I njëjti shtoi se për rastin e tij askush nga UÇK-ja nuk e ka kontaktuar për ta hetuar si rast pas luftës.

Me kaq përfunduan pyetjet e avokates se viktimave, Maria Radziejowska, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq.

Dëshmitari Imeri thotë se ka dëgjuar një vajzë duke thënë: A jemi ardh me i mjeku vëllezërit a me na dhunu llugave

Dëshmitari Imer Imeri tha në Hagë se kur ishte i ndaluar në godinë ishin edhe disa vajza që kishin ardhur nga Zvicra për t’i mjekuar të plagosurit e luftës e që njëherë njërën prej tyre e kishte dëgjuar teksa fliste e hidhëruar.

Ai tha se kjo vajzë kishte thënë se a kanë ardhur që të mjekojnë vëllezërit apo të dhunohen sipas tij në lluga, raporton “Betimi për Drejtësi”

“E kam degju një shumë të idhnume, e mërzitur. U kthy prej fronti t’u i sha ‘A jemi ardh me i mjeku vëllezërit a me na dhunu llugave’, tha Imeri.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu tregua një fotografi për të cilën tha se është e njëjta godinë ku ishte mbajtur i ndaluar.

“Kjo është e njëjta godinë”, tha dëshmitari duke shënuar me ‘1’ hyrjen kryesore dhe me ‘2’ dritaren ku ishte i ndaluar.

Ai tregoi se në të djathtë të godinës ishte një derë dhe qëndronin këto vajzat e ardhura nga Zvicra.

“Aty qëndronin do vajza që kishin ardh prej Zvicre për të mjeku të plaguarit”, tha Imeri.

Ai tha se i kishte parë prej dhomës se tij duke hyrë dhe dal.

“Ato hishin e dalshin qaty, manej s’mujshin të shkojshin”, tha ai.

Me kërkesën e prokurores, u pranua në prova gjyqësore fotografia me shënjimet që bëri dëshmitari.

Më pas  dëshmitarit iu prezantua një fotografi ku shihej një dhomë për të cilën ai tha që atë natë që e kanë quar atje e kanë futur në të njëjtën dhomë.

“Në këtë dhomë me ka përmend adhuruesi i Presidentit Rugova dhe hiqni dorë apo do të vritni të gjithë dhe ka fillu dajaku”, tha Imeri.

Atij iu kërkua që të tregoj se kush e ka rrahur por që mikrofoni u hap përpara se ai ta përmend emrin.

“… m’i ka dhanë dy shuplakë, m’ka ra nihere me patericë dhe tani me ni dru të shkurtër, komandant Hoxha- Rizah Alia me emrin e vetë ai ka fillu të me bie në krye, gjithkund nëpër trup kështu që unë jam mbulu me gjak”, tha ai.

Ndërsa në fotografinë tjetër, dëshmitari tha se krye atyre shkallëve ishte dhoma ku ai ishte mbajtur.

Kurse dëshmitarit iu kërkua që të tregoj nëse e dinte se ku ndodhej një dhomë në fotografi.

“Atë me atë kauqin e gjatë ama është tjetër kun se Sabit iu tha atëherë ndizni koftorin se ftohtë”, tha dëshmitari.

Si rrjedhojë, u pranuan në prova gjyqësore fotografitë e prezantuara dëshmitarit.

Dëshmitari Imeri: Nuk jam kundër UÇK-së, por mjerisht veprat e disa individëve me kanë sjellë këtu

Dëshmitari Imer Imeri gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se po i drejtohet popullit të tij për t’i treguar se nuk është kundër Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK) por veprat e disa individëve e kanë sjellë sot në gjykatë.

“Unë dua t’i drejtohem popullit tim se nuk jam këtu kundër UÇK-së se në UÇK isha vetë i shtati. UÇK-ja është e arët për popullin e Kosovës dhe populli i Kosovës ishte i tëri UÇK, por mjerisht individët e caktuar, veprat e tyre me kanë sjellë sot këtu”, tha Imeri.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi ku në njërën prej tyre tha se ishte vendi ku ishte mbajtur i burgosur.

“Në këtë vend isha i burgosur prej 12 prillit  1999 deri me 20-22 qershor 1999. Ky vend quhet Cahan i Kurmes. Këtu përpara si duket është një derë e vogël, e dyta është dera e hyrjes. Mbi derë të hyrjes ishte dritarja ku kam ndejt unë prej 12 prill deri me 20-22 qershor, tha dëshmitari i cili shënjoi me ‘1’ godinën ku pretendohet se është mbajtur i ndaluar.

Më pas, dëshmitari sërish vazhdoi me shënjime të këtyre godinave në fotografinë sipas pyetjeve të prokurores

Imer Imeri dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ZPS thotë se ai ishte rrëmbyer nga UÇK-ja

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 83-të i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar  (ZPS), Imer Imeri i cili mbanë kodin 04735 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja Vega Iodice e cila sipas përmbledhjes se lexuar në sallën e gjyqit, ky dëshmitar ishte rrëmbyer nga anëtarët e UÇK-së me maska dhe ishte mbajtur i ndaluar në Shqipëri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari 04735 është shqiptar i Kosovës që është rrëmbyer në Kosovë nga ushtarët e UÇK-së me maska sepse ishte përkrahës i LDK-së dhe e kanë mbajtur në kazermën ushtarak të UÇK-së në Shqipëri dhe e kanë rrahur ushtarët e UÇK-së. Ai ka qenë në kushte të këqija sanitare edhe ka parë se si janë keqtrajtuar persona të tjerë që kanë qenë të ndaluar ma të”, tha prokurorja Iodice.

Ajo tha se më pas dëshmitari ishte liruar por që iu ishte kërkuar që të mos i tregonte askujt.

“Rreth mesit të qershorit 1999, dëshmitari 04735 u transferua në Prizren ku u mbajt i ndaluar për disa ditë bashke me disa të tjerë ku përfshiheshin serb edhe romë përpara se ta lironin anëtarët e UÇK-së të cilit i kërkuan që të mos tregonte askujt se e kishin mbajtur të ndaluar”, tha prokurorja.

Ndryshe, dëshmitari  tha se qëndron prapa deklaratave që i ka dhënë më herët përpara autoriteteve të drejtësisë dhe se është e vërtetë ajo se çfarë ka thënë.

Dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë dy ditë e që një orë e gjysmë janë ndarë për ZPS-së, mbrojtësi i viktimave rreth 15 minuta dhe ekipet e mbrojtjes rreth shtatë orë.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues tha se do të flasin lidhur me dy çështje që sipas tij e para ka të bëjë me kërkesën e mbrojtësit të viktimave për t’i bërë pyetje dëshmitarit për çka mbrojtja e të akuzuarve e ka kundërshtuar.Lidhur me këtë, Charles Smith III tha se do të marrë vendim pasi prokuroria t’i përfundojë pyetjet e veta.

Sa i takon kësaj pjese, mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq, tha se ata nuk e kanë kundërshtuar kërkesën por kanë  thënë që mbase do të kenë kundërshtime për çka do ta japin më vonë qëndrimin e tyre.

Me kaq seanca kaloi në sesion privat për mbrojtjen e identitetit të dëshmuarit dhe për t’u diskutuar një çështje në praninë e tij

Po ashtu, vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit. Ndërsa, të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët përpara autoriteteve të drejtësisë u pranuan në prova gjyqësore duke përfshirë edhe ato të dhëna në gjykimin ndaj Sabit Gecit në 2011-ën dhe Xhemshit Krasnqiit në 2016-ën.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Imer Imeri fillon dëshminë e tij në Hagë

Imer Imeri, vëllai i veprimtarit të vrarë të LDK-së gjatë luftës në Kosovë ka nisur dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Të enjten e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 82-të, ka bërë të  ditur përmes një njoftimi DhSK-ja pasi ka mbaruar seanca e cila u mbajt e mbyllur.

Ndryshe, sa ishte seanca e hapur, mbrojtja e Veselit përmes avokatit Geoffrey Roberts e ngriti një çështje lidhur me kalendarin  gjykatës për vitin e ardhshëm.

“Kalendari i gjykatës për vitin që vjen është deri në maj të vitit që vjen dhe megjithatë që kuptoj unë synohet që data e përfundimit të çështjes nga Prokuroria është… ose ajo që keni thënë me datë 15 shkurt 2023 ka qenë 1 prilli 2025, të paktën kjo është përcaktuar me urdhrin me gojë. Nuk e di në qoftë se ky është rasti megjithatë ne e kuptojmë që ndërsa flasim koha për përfundimin e çështjes nga prokuroria është në prill”, ka theksuar Roberts.

Ndërsa, kryetari i turpit gjykues njoftoi se nuk ka ndryshime në data por që i është dhënë pak hapësirë ZPS-së pas afatit të përcaktuar për mbarimin e çështjes së saj.

Për këtë javë, Matt Halling ka theksuar se kanë vetëm dy dëshmitarë të cilët mbajnë kodin Ë04735 dhe Ë0511, të cilët pritet të dëshmojnë. Ai ka thënë se aktualisht nuk kanë dëshmitarë tjetër rezerve, por që do të shikojnë se çfarë mund të bëjnë.

Ndërsa prokurori Halling  ka thënë se dëshmitarët që synohet të thirren për bllokun e ardhshëm janë 04737, 04600 dhe 01129. Kurse  kryegjyqtari ka thënë se do të ishte mirë që  ta kenë dikë rezervë për shkak se sipas tij këta dëshmitar nuk zgjasin gjithë javën.

Pas kësaj, pati një çështje për të diskutuar edhe avokati Eric Tully por që sapo e mori fjalën, seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar për t’u mos u hapur më deri sa në ekran u njoftua se nuk ka transmetim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat