Në Gjykatën Themelore në Prishinë, të hënën në rastin e njohur “Toka 2”, ka dhënë dëshminë dëshmitarja Planinka Llaziq, e cila pretendon se është pronare e tokës së kontestuar. Ajo është shprehur se nuk tërhiqet duke kërkuar drejtësi sa të jetë gjallë.
Dëshmitarja Llaziq tha që kur iu është kthyer toka, e kanë pranuar vendimin dhe ajo tokë është ndarë në pesë pjesë të barabarta, ku njëra pjesë i takon vetë asaj.
Ajo deklaroi që pas luftës, dokumentacionin e asaj toke e kanë dorëzuar në Arkivin e Prishtinës për ta regjistruar si pronë të tyre, mirëpo sipas saj, Agjencioni gjithëherë kanë kërkuar dokumente shtesë.
Për këtë çështje, dëshmitarja Llaziq tha që e ka autorizuar Fata Berishën, e cila punonte në Arkivë, që t’i ndihmojë në mbledhjen e dokumenteve dhe t’i përfaqësojë në Agjencion. Më pas, autorizimin e kanë tërhequr nga ajo, me të kuptuar se toka ju është marrë dhe më nuk kanë kontaktuar me të.
Sipas saj, e autorizuara Fata Berisha iu ka kërkuar para për t’i qerasur personat që punojnë me të.
“Fata ka ardhë te unë si mike, më ka thënë që t’i bësh gati 2 mijë euro që t’i qarrosim njerëzit që punojnë me mu dhe unë ia kam dhënë asaj 2 mijë euro. Dhe nga ajo kohë më nuk kemi pasur qasje në tokë dhe kanë filluar komplikimet”, tha dëshmitarja Llaziq.
Gjithashtu, dëshmitarja Llaziq tha që lidhur me këtë çështje kanë parashtruar padi në Gjykatë, përmes avokatit Qazim Qerimi.
Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili se a e njeh të akuzuarin Dukagjin Emërllahu, ajo tha që nuk i kujtohet.
Kurse e pyetur se a e ka shitur ndonjëherë tokën, dëshmitarja Llaziq u përgjigj se personalisht nuk ia ka shitur askujt tokën të cilën e posedon.
“Unë shumë mirë ju them me vetëdije, tokën të cilën e posedoj, 1 hektar e 26 ari, nuk e kam shitur tokën e as s’ka ardhë kërkush me ble, përveç Skenderit dhe me të nuk jemi marrë vesh rreth çmimit dhe kjo ka qenë fundi. Ai ka ardhë me më pyet a e shes tokën, më ka pyet për çmimin, por nuk jemi marrë vesh. I vetmi blerës që ka ardhë me ble tokën ka qenë Skenderi dhe të jem e sinqertë nuk e kam ditë mbiemrin e tij”, tha dëshmitarja Llaziq.
Gjatë seancës, mbrojtësja e të akuzuarës Nexharije Hoti, avokatja Sadije Mjekiqi, i tha dëshmitares Llaziq që ajo është tërhequr nga çdo kërkesë e parashtruar, duke ju referuar një aktvendimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, mirëpo për të njëjtën çështje, dëshmitarja tha që nuk ka tërhequr asnjë kërkesë dhe se sa të është gjallë nuk tërheqet nga asnjë kërkesë lidhur me tokën.
Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohet edhe dëshmitarja Serfil Aliu, mirëpo e njëjta mungoi.
Gjykatësi Ismaili lidhur me dëshmitaren Aliu tha që ka pranuar një e-mail nga Stacioni Policor-Qendra, ku i kanë thënë se kanë shkuar në adresë të saj për të siguruar prezencën e saj në seancë, por toka është dhënë për ndërtime të larta dhe se asnjëri nga fqinjët nuk e ka njohur dëshmitaren.
Për këtë arsye, u propozua nga kryetari i trupit gjykues që të lexohen deklaratat e kësaj dëshmitareje.
Këtë propozim e kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit, Mehmet Prishtina, avokati Shkelzen Sopjani, duke thënë se deklaratat e dëshmitares Aliu në Polici dhe Prokurori janë në kundërthënie të drejtpërdrejtë dhe paraqesin rrethana krejtësisht ndryshe.
Më pas, gjykatësi Ismaili bëri të ditur se trupi gjykues do t’i vërtetojë edhe njëherë deklaratat e dëshmitares dhe do të vendosin lidhur me këtë çështje.
Ndryshe, ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.
Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.
Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi, për shkak se kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Ndërkaq, pasi që gjykatësja Gërguri gjendej në pushim mjekësor, kjo lëndë ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili.
Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.
Të gjithë të pandehurit, akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta sesa çmimi real i tregut.
Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.
Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.
Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M. Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.
Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.
Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi.
Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.
Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria.
Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendas nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu, Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.
Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas Prokurorisë, thuhet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.
Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”.
Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.
Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emërllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emërllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim të të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.
Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi, akuzoheshin edhe Reshat Fetahu, Gani Ademi, për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, akuzoheshin Avni Maxhuni, Sh.M, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Bislim Bajrami, Albion Mulaku, Gëzim Rama, Agim Jerlija.
Për “Shpëlarje të parave”, akuzoheshin Basri Beka, Bajram Gashani, Arton Vila, Bejtullah Zhugolli, Dalip Brahimi, Dalip Brahimi, Lirim Zeka dhe Shaqip Krasniqi.
Ndryshe, lidhur me këtë rast në vitin 2016 është mbajtur mundësia hetuese e veçantë, ndaj gjithsej 51 të dyshuarve lidhur me këto dallavere, ndër ta edhe ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.
Pas këtij hetimi, prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka 2”.