Tetaj në Hagë: Sa herë ka ardhë Thaçi, ne kemi pasur pak probleme - kishte presion që asgjë të mos jetë në emër të Rugovës

Aktuale

Tetaj në Hagë: Sa herë ka ardhë Thaçi, ne kemi pasur pak probleme - kishte presion që asgjë të mos jetë në emër të Rugovës

Nga: Bota sot Më: 3 shtator 2024 Në ora: 07:10 Përditësuar në ora: 16:13 më 03.09.2024
Rrustem Tetaj

Tetaj: Sot e asaj dite jam i bindur që Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka qenë fiktiv

Dëshmitari Rrustem Tetaj mohon se ka dijeni që ka ekzistuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai tha se edhe për emërimin e Ramush Haradinajt si komandant i Shtabit Rajonal në Dukagjin e kanë bërë vetë dhe s’kanë pasur urdhra nga lart. Tetaj tha se është i bindur që edhe nëse ka pasur Shtab ka qenë fiktiv, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Deri sa e kemi formu na Shtabin Rajonal të Rrafshit të Dukagjinit në Jabllanicë dhe e kemi zgjedh Ramush Haradinajn si komandant i Shtabit Rajonal të Rrafshit të Dukagjinit, na vetë e kemi zgjedhë. Sikur të kishte ekzistu një Shtab i lartë na kishin ardh urdhrat. Kishin me thanë që Rrustemi ka me qenë, Ramushi, ai tjetri e ai tjetri. Jo. Aty ka qenë edhe Rexhep Selimi. Me vota e kemi bërë komandant Ramush Haradinajn. Bile Rexhepi  e ka propozu Lahi Brahimajn po nuk ka fitu Lahiu dhe Ramush Haradinaj u zgjedh komandant i Rrafshit Dukagjinit. Ky është një element se sikur të ketë pasur një strukturë të lartë të Shtabit qysh po pretendohet gjatë asaj kohe, gjatë luftës dhe mas luftës, na s’kem pas nevojë me i qu gishtat kush bahet. Emërimet e komandanteve në ushtri nuk bahen me gishta por bahet me vendim. Prandaj, asaj kohe na nuk e kem ditë që ekziston Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe nëse ka ekzistu, sot e asaj dite jam i bindur që ka qenë fiktiv duke e ditur që UÇK-ja ka lindur prej popullit dhe jo prej 3-4 vetave”, tha Tetaj.

Ai tha se me aq sa ka dijeni asnjëherë nuk kanë pranuar ndonjë urdhër të lëshuar nga ndonjë Shtab i  Përgjithshëm.

“Nese do të kishim një shtab më të lart do të kishim pranu urdhra po ne nuk kem pas”, tha Tetaj.

Ai tha se secili komandant në nënzonen e tij ka pasur mundësi që të vendos vetë.

Secili komandant i nënzonës ka mujt me vendos vet”, tha Tetaj pasi që fillimisht tha se komunikimi me komandantët e zonave ishte e vështirë.

Ai kishte pohuar se ishte e vështirë edhe për shkak se nuk ekzistonte struktura e nevojshme në atë kohë.

“Edhe unë po e them që Shtabi Rajonal i Rrafshit të Dukagjinit dhe vetë UÇK në Rrafshin e Dukagjinit ka lind nga populli. Prej këtu ka nis dhe jo nga nalt. S’ka shpi që nuk i ka marrë armët me luftu”, tha ai.

Dëshmitari u pajtua se deri në fund të qershorit 1998 nuk ka pas organizim të Policisë Ushtarake në rajonin e Dukagjinit.

Tetaj në Speciale: E kemi dëgjuar Thaçin në shator me Zemajn duke thënë se “shumë shpejt me ty do ta kryej”

Dëshmitari Rrustem Tetaj tha se kur u bë ndryshimi i pozitave në mes Ramush Haradinajt dhe Tahir Zemajt, kishte ndodhur një tension në Zhabel të Dukagjinit.

Ai tha se e kanë dëgjuar Hashim Thaçin në një shator me Tahir Zemajn, duke thënë që ‘shumë shpejt do ta kryej me ty’.

Fillimisht, dëshmitari tha se për këto ndryshime nuk ishin pajtuar askush aty duke, përfshirë edhe Tahir Zemajn.

“Aty nuk janë pajtu as Tahiri as nuk janë pajtu Hashim Thaçi.. krejt qëllimi që s’jem pajtu është se Tahiri e lypke dhe të gjithë ne e lypshim se kush është komandant nëse ne jemi komandantë të zonave, nënzonave të UÇK-së e dojshim me e ditë se kënd e kishim komandant të Shtabit të Përgjithshëm. Këta nuk na kanë tregu. Kur thanë ‘këta’ është Hashim Thaçi që ka ardhë dhe atëherë qaty kanë lindë problemet dhe u kanë një shator më tutje, janë hi atje tek telefoni satelitor kanë folë dhe kanë bërë kontakte përmes telefonit satelitor me nuk e di me Shtab të Përgjithshëm, me Ahmet Krasniqin e s’po di”, tha Tetaj.

“Nuk e di se çka kanë folë, por disa zëra janë dëgju dhe ka qenë një tension”, theksoi dëshmitari, duke thënë se kjo ka qenë një situatë e palakmueshme dhe ka pasur mundësi që të ketë pasoja.

Ai tha se në atë takim dëgjohej një zë i pakëndshëm duke përshkruar zërin e Thaçit.

“Aty dëgjohej një zë i pakëndshëm, por ishim tanë dhe duhet ta konfirmoj se aty e kemi ni Hashim Thaçin t’u thanë se shumë shpejt me ty do ta kryej. E tash me kanë, qysh, nuk e di”, tha Tetaj.

Tetaj, gjithashtu u pyet se çfarë do të thoshte me frazën se ‘ka dëgjuar zë të pakëndshëm’.

“E kam pas në mes të Tahirit dhe Hashim Thaçit në lidhje me postin e Komandantit të Shtabit Rajonal të Rrafshit të Dukagjinit. Zëri i tij ishte i nervozum”, tha Tetaj, kurse rreth asaj se a e kishte zërin e ngritur, u përgjigj “jo edhe qaq, por dëgjohej mirë ata dy në mes vete, Tahiri dhe Hashimi por me nervozë kanë folë”, tha Tetaj.

Po ashtu, ai tha se të gjithë atë që kanë qenë aty e kanë dëgjuar këtë fjalë nga Thaçi vetëm në rast që nuk duan të flasin lidhur me këtë.

Përpara kësaj, Tetaj shpjegoi se si erdhi situata deri tek ky tension në Zhabel.

“… është emëru komandant Rajonal të Dukagjinit, me pëlqimin e 14 fshatrave përreth dhe detyrën e zëvendësit e ka pranu Ramush Haradinaj edhe jemi pajtu të gjithë dhe ma s’ka pas kurrfarë divergjence e kurrfarë shqetësimi mes nesh. Mirëpo, prezenca dhe ardhja e Hashim Thaçit një ditë përpara kur ka dëgju, unë në aty atë ditë nuk kam qenë dhe këta e kanë caktu një takim të rregullt në fshatin Zhabel pas datës të emërimit të Tahir Zemajt… edhe për këtë takim jam informu nga Tahir Zemajt”, tha Tetaj.

Dëshmitari tha se ka refuzuar që të shkojë vetë ai në Zhabel, por që sipas tij kishte insistuar Tahir Zemaj. Në atë takim, tha se ua kanë dhënë disa pliko në të cilat secili i ka parë detyrat e veta se në çfarë rangu ishin të caktuar e që kanë qenë të nënshkruara nga Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, por pa emër.

Tetaj tha se nga aty kanë lindur problemet kur kanë parë dokumentet pa emër komandanti dhe kanë refuzuar që t’i nënshkruajnë.

Në këtë takim, Tetaj tha se Ramush Haradinaj e mori detyrën e komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, ndërsa Zemaj si zëvendës i tij.

Ndryshe, Tetaj tha se ka pasur presion që mos të ekzistonte FARK-u. I pyetur se kush po e ushtronte këtë presion, dëshmitari tha se ‘me emër më së shumti është cekur Hashim Thaçi’.

Dëshmitari tha se Tahir Zemaj shpeshherë ka treguar se kanë pasur probleme lidhur me çështjen e FARK-ut dhe fotografinë e Ibrahim Rugovës.

Dëshmia e Tetajt në Hagë: Sa herë ka ardhë Thaçi ne kemi pasur pak probleme, kishte presion

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Rrustem Tetaj tha se me ish-presidentin Hashim Thaçi është takuar tri herë gjatë kohës së luftës.

“Sa më kujtohet mua, kjo ka qenë para emërimit të Tahir Zemës që jam taku, nja dy herë që e kam taku Hashim Thaçin. Një herë e kam pa, s’kam pas kontakt shumë me ta. Dytën herë ka qenë në zyrën time dhe ka qenë edhe një person tjetër. Në rroba civile, nuk ka pas uniformë. Prezent ka qenë edhe Bislim Zyrapi. Po gjithqysh u kanë përpara, para të 21-it kur Tahir Zemaj është emëru komandant i Rrafshit të Dukagjinit”, tha Tetaj.

Ndërsa më vonë, tha se e kishte takuar Thaçin në Zhebel, afër Bardhaniqit.

“Dy herë e kam pa në Prapaqan dhe njëherë jemi taku në Zhebel”, tha dëshmitari Tetaj.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument që tha se kanë qenë shabllone si leje udhëtimi në zonën ku ai ka vepruar.

Ky dokument, prokurori Nathan Quick kërkoi që të pranohet në prova materiale, mirëpo kjo gjë u kundërshtua nga mbrojtja e Selimit. Megjithatë, dokumenti u pranua në prova gjyqësore.

Tetaj teksa foli për takimet me Thaçin në Kazermën e Prapaqanit, tha se sa herë shkonte tashmë i akuzuari atje, ata kishin nga pak probleme.

“Sa herë ka ardhë Hashim Thaçi ne kemi pas pak probleme në kazermën e Prapaqanit bash mu për këtë se ishin dy fraksione. Kishin divergjenca të mëdhaja në mes, a në realitet ishim një Ushtri”, tha Tetaj.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se në zyrën e tij e ka pasur një fotografi të Ibrahim Rugovës.

“Ka qenë fotografia e Rugovës, kështu që asokohe ka qenë më shumë aktuale që të merren me Ibrahim Rugovën dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës sesa vetë me ushtrinë ose me organizimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Tetaj.

Ai shtoi se ka pasur presion në atë kohë që asgjë të mos jetë në emër të Ibrahim Rugovës.

Rrustem Tetaj nis dëshminë në Speciale

Rrustem Tetaj ka nisur dëshminë në Dhomat e Specializuara në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Ai është dëshmitar i ZPS-së, derisa ka qenë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës.

Prokurori i ZPS-së, Nathan Quick, ka deklaruar se dëshmitari ka mbajtur pozita të ndryshme në Zonën Operative të Dukagjinit.

“Dëshmitari ka mbajtur pozita të ndryshme në Zonën Operative të Dukagjini në verën e vitit 1998, përfshirë edhe në shtabin e komandës së zonës dhe në zonën e Prapaqanit. Ka dijeni për përpjekjen e disa anëtarëve të caktuar të UÇK-së për t’i vënë nën shënjestër personat që konsideroheshin si kundërshtarë politik, përfshirë edhe personat e lidhur me LDK-në dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe kolaboracionistëve të tjerë të pretenduar”, ka deklaruar ai.

Një ditë më parë, në Speciale ka dëshmuar ish-zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imer Imeri. Ai ka thënë se ishte torturuar nga pjesëtarë të UÇK-së dhe ishte mbajtur i lidhur.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dje në këtë proces e ka përfunduar dëshminë e tij, Imer Imeri.

Gjatë dëshmisë së tij, ai i është përgjigjur pyetjeve të prokurorise, mbrojtjes dhe gjyqtarëve.

Përpara se te mbyllet seanca, kryegjyqtari ua tërhoqi vërejtjen ekipeve mbrojtëse, pasi kishin kërkuar shtatë orë për këtë dëshmitar, ndërsa kundërpyetjet e tyre i përfunduan për një orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat