Analisti politik Gëzim Mekuli, ka reaguar për një fotografi, që Policia e Kosovës e ka gjetur së fundmi në zyrat ilegale serbe në veri të vendit.
Në këtë fotografi shihet presidenti rus Vladimir Putin. Mekuli ka pyetur ambasadorët e huaj në Kosovë, se pse për Putinin po e shënjestërojnë Kosovën, përcjell Bota sot.
Ai ka inkurajuar kryeministrin Albin Kurti, që të mos ndalet në rrugën drejt çlirimit të veriut të Kosovës.
“Haj medet, ambasadorëve s'ka kush t'ua lexoj këtë fotografi!?
A është kjo fotografia që simbolizon zemrën e ngurtë të një tolerance të vdekur? Është ky një imazh i ftohtë, i frikshëm dhe i ashpër, i gjetur në tavolinat e errëta të zyrave ilegale serbe në Kosovën e veriut. Një simbol që nuk kërkon dialog, por urrejtje e gjak. Apo jo ambasadorë?
A për Putinin, për të po e shënjestroni Kosovën, a?
Në emër të fashizmit, po e dërrmoni demokracinë, apo jo ambasadorë?
Ku është drejtësia, ku është nderi në këtë lojë të errët që torturon vlerat që bota e civilizuar duhet t’i mbrojë?
A do të lejojmë që kjo fotografi e mbrapshtë të vijojë të ndotë rrugën tonë drejt Pavarësisë e lirisë?
Albin Kurti, krejt Kosova është me ty; krejt të tanë, me të gjitha ato kultura, popuj, etni, me të gjitha kishat, manastiret e me xhami”, ka shkruar Mekuli në një postim në Facebook.
Policia e Kosovës javën e kaluar zhvilloi një aksion në veri kundër strukturave paralele, ku mbylli pesë institucione paralele të qeverisjes vendore./Botasot