Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy serbëve për krime lufte ndaj popullsisë civile. Të njëjtit akuzohen për krimet në familjen Salihaj, Imeraj, Lipa e të tjera në rajonin e Dukagjinit. Familjarë të viktimave i njohin të dy nga afër dhe thonë se të njëjtit u endën të lirë për vite të tëra. Ata shprehen të zhgënjyer me sistemin e drejtësisë e nuk janë optimist për rezultatet që do t’i sjell gjykimi i tyre.
Për t’u përballur me drejtësinë për krimet e luftës ndaj popullatës civile, është ngritur aktakuzë ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq.
Në vitin 1999, të dy gëzonin pozita drejtuese në stacionet e milicisë, Zariq shef në atë të Rakoshit e Pantoviq në Istog.
Familja Salihaj të dy i njihte nga afër e kjo ngase problemet me ta i kishin të vazhdueshme. E për më tepër, ishte Pantoviq ai i cili kishte dhënë urdhrin e vrasjes së 9 anëtarëve të familjes Salihaj, nga tri gjeneratat.
“Aty janë ra baba me katër djem e tre nipa. Tri gjenerata. Baba ka qenë më i moshuari e më i riu Hysniu, djali i Shabanit, 16 vjeç. Më e keqja ishte se i kishin pas qel, ua kishin marrë organet, krejt kanë qenë t’qelun pos Shabanit. Baba ishte i vrarë këtu, këtu djali i vëllaut, Shabani u vra tek udha kryesore… Gruan e tij e kishin pas vra, Fatimen. Ia kemi gjet flokët. Se kur e kishin vra e kishin lyp edhe një qebe. E, më pas e kishin zhduk”, ka thënë Sefadin Salihaj, familjar i të vrarëve.
Fatime Salihajt i ishte gjetur vetëm një pjesë e trupit, tre muaj më vonë në malet afër.
E jeta Sefadinin e kishte takuar disa herë me Pantoviqin, për gjykimin e të cilit, ai nuk shprehet aspak optimist.
“Në Istog e kam pa me gruan, bash në qendër. Rrike me shqiptarë, por ky gjithmonë ka thënë se s’ka qenë pjesëmarrës. Faktikisht ka qenë. Është më i madh se pjesëmarrësit. Se ai ka urdhëruar. I ka zbatuar urdhrat e shtetit të vet. E dinë për punëtorët e tij, këtu ka pasur edhe paramilitarë…Për Zharkun kam ba ankesa. E moren do ditë, e lëshun prapë. Tash më thanë që prapë e kanë arrestuar. S’po di sa të jem i gëzuar. Mundet me qenë proces formal. Nashta po gaboj, po nga e kaluara, nuk kam bindje. S’kam bindje se drejtësia po punon mjaftueshëm”, ka thënë ai.
Ndër familjet që pësuan nga urdhrat e dy të pandehurve + është edhe familja Imeraj.
Urdhri i Zhazhit kishte lënë familjen Imeraj pa 19 anëtarë. E, Hyra Imerajn pa burrë e djalë.
“Kemi qenë mrena, dul kojshia e tha janë mbush plot. S’kem ditë gjë veç kanë ardh dy vet e na i gjuajtën dritaret. Unë, me tre fëmijët, plakun e kojshit. Plaku më tha që e njihte se i kishte ruajtur bagëtinë me ta. I tha ‘mos, se i tranove fëmijët’. Ai i tha ‘s’ka ma kojshi’. E shau serbisht dhe e qëlloi sa mundi. Djalin u munojsha me mshef. U tutsha që po ma marrin. Kur e gjuajtën, rashë mbi të dhe kot. Gjuajshin prapë”, ka deklaruar Hyra Imeraj, nëna e Mohamed Imerajt.
Tanimë prapa grilave, të pandehurit gjenden nën masën e paraburgimit deri në nisjen e gjykimit.
Momir Pantiq dhe Zharko Zariq akuzohen për krimet e kryera në familjet Salihaj, Imeraj, Lipa, Pepaj e të tjera, përfshirë në dy raste sipas Prokurorisë edhe dhunime seksuale ndaj viktimave.