Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, u vunë re edhe të mërkurën në urën e Ibrit në Mitrovicë.
Këtë prezencë, ish-nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina e konsideron “normale” pasi thotë se ajo pjesë dhe siguria në tërësinë e kufijve bie në domenin e KFOR-it, policisë dhe EULEX-it.
“Është paralajmëruar nga policia dhe KFOR-i se ka pasë trajnime të vazhdueshme në atë pjesë, trajnimet do vazhdojnë për shkak se siguria në tërësi e kufijve dhe e asaj pjese bie në domenin e KFOR-it, policisë dhe EULEX-it. Veprimet e tilla janë normale, por ne nuk jemi mësuar të shohim forca të shtuara, sepse në një të ardhme jo fort të largët, do vendoset që ajo urë të mos ketë vetëm lëvizje në këmbë, por edhe për automjete”, ka deklaruar Morina.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Jeton Halimi thotë se “stërvitjet” nga KFOR-i në këtë pjesë po përdoren si pretekst për të kamufluar opinionin publik.
“Mendoj se e përdorin si pretekst trajnimet si mbulim për opinionin publik, po shpresojmë të mos ketë ndonjë rast”, ka thënë Halimi.
Sipas tij, Kosova pa u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë “nuk mund të bëjë” asnjë hap.