Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar se me kryetarët e degëve të partisë është mbledhur në Istog për dy ditë me qëllim që të përgatiten për zgjedhjet e nëntë shkurtit.
Abdixhiku ka shkruar se LDK-ja po vjen e organizuar, e reformuar, e unifikuar dhe e gatshme për betejën përpara.
“U mblodhëm sot në Istog, tek Iliri, me të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë, në punëtorinë dy ditore si përgatitje e plotë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Përgjatë këtyre dy ditëve, do t’i shtrojmë të gjitha çeshtjet organizative të Lidhjes Demokratike, nga caktimini shtabeve elektorale, tek përcaktimi i vëzhguesve, komisionerëve e orarit të takimeve që nga tash e deri në fushatë”, ka shkruar Abdixhiku.
“Lidhja po vjen e organizuar, e reformuar, e unifikuar dhe e gatshme për betejën përpara”, ka shkruar ai.
Sipas tij, ky nivel i organizimit, 5 muaj më herët, tregon jo vetëm për vitalitetin tonë organizativ, jo vetëm për unitetin tonë partiak, por dhe për seriozitetin e paraprirjes për garën e ardhshme elektorale.
“Pas hartimit të programit politik nga nëntori i vitit të shkuar, organizimi ynë struktural bëhet ngjarja më e rëndësishme partiake. I tillë siç ka nisur, ai do të përcillet në nivel nacional tek 887 nëndegët tona në Kosovë e në Mërgatë nga tani deri në fushatë”, ka shkruar Abdixhiku.
“Lidhja Demokratike është gati! Me strukturën tonë, njerëzit tanë, idetë e idealet tona të djathta, programin tonë politik ‘Rruga e Re’, përpjekja për një Kosovë siç e kemi ëndërruar gjithëherë gjenë alternativën e domosdoshme – dhe të vetme! Prandaj, le ta bëjmë rrugën bashkë”.