Lajçak deklarohet pas takimit në Qeveri të Kosovës, zbulon për çka u morën vesh rreth dialogut me Serbinë

Aktuale

Lajçak deklarohet pas takimit në Qeveri të Kosovës, zbulon për çka u morën vesh rreth dialogut me Serbinë

Më: 6 shtator 2024 Në ora: 07:54 Përditësuar në ora: 12:48 më 06.09.2024
Miroslav Lajçak

Lajçak shkruan pas takimit me Bislimin

Emisari sllovak për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar në llogarinë e tij në “X” për takimin që ka pasur në Kosovë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

Lajçak ka thënë se kanë pasur një bisedë të hapur dhe të detajuar për takimin e radhës të shefave të ekipeve negociatore.

Emisari sllovak ka treguar gjithashtu se kanë biseduar edhe për Planin e Rritjes dhe për hapat e radhës në Dialog në periudhën e ardhshme.

“Mirë të kthehem në Kosovë! Pata një diskutim të hapur dhe të detajuar për takimin e radhës të kryenegociatorëve me zëvendëskryeministrin e pare Besnik Bislimi. Ne folëm edhe për Planin e Rritjes dhe hapat e ardhshëm në Dialog në periudhën e ardhshme”, ka shkruar Lajçak.

Emisari jep lajmin: Serbia ka tërhequr letrën e Bërnabiqit për Marrëveshjen e Ohrit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.

Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi në Prishtinë, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja është ende valide. Ai po ashtu tha se kohë pas kohe ka deklarata që nuk ndihmojnë në zbatimin e marrëveshje.

"Jo, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin", tha Lajçak.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Në takimin në Prishtinë me Bislimin, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës, Lajçak tha se është arritur pajtim për një rund të ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por nuk tregoi ndonjë datë për mbajtjen e këtij takimi.

Lajçak tha se me Bislimin diskutoi për një sërë çështjesh, përfshirë hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.

“Ne po ashtu diskutuam për Urën e Mitrovicës dhe hapjen e saj për qarkullim të automjeteve. Besoj se qëndrimi i BE-së është i njohur, por do ta përsëris: ura duhet të hapet, por hapja e saj duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe ne diskutuam për detajet e kësaj", tha Lajçak.

Ndryshe, kësaj radhe, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në Bruksel, Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin. Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.

Bashkimi Evropian së fundi ka përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas BE-së, mund të rrisin tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe. Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.

Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./REL

Lajçak: Ura e Ibrit duhet të hapet, por ...

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se ura kryesori mbi lumin Ibër duhet të hapet, mirëpo në momentin e duhur dhe në koordinim me aleatët.

Ai tha se fokus i takimit ka qenë caktimi i takimit të radhës të kryenegociatorëve në Bruksel.

Mirëpo nuk dha datë për një gjë të tillë.

Lajçak e kualifikoi si urgjente zhbllokimin e impelementimit të marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Lajçak nuk e tregon datën: Takimi mes Kosovës e Serbisë së shpejti

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, dhe se BE-ja po punon që i gjithë procesi të përshpejtohet.

Pas takimit në Qeveri, ai ka bërë të ditur se do të ketë edhe një takim në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk ka dashur ta bëjë të ditur datën.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje. Po punojmë me Kosovën dhe Serbinë që procesi të përshpejtohet. Ajo është pjesë e negociatave të Kosovës me BE-në dhe të Serbisë me BE-në, pra i shtohet i rëndësia”.

“Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur”, ka thënë ai, për një takim mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut.

Kurti dhe Osmani s’e kanë në agjendë takimin me Lajçakun

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, tashmë ka arritur në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Tashmë ai ka nisut një takim me e zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për përgatitjen e takimit me kryenegociatorët në Bruksel.

Përveç Bislimit, nuk dihet ende nëse Lajcak do të ketë një takim me krerët e shtetit të Kosovës.

Në agjendat e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti nuk figuron në asnjë vend takimi me Emisarin e Bashkimit Evropian.

Takimi i vetëm që është paraparë të ndodh sot është i Osmanit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

Takim me Lajçakun nuk ka njoftuar as Zyra e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Vizitën në Prishtinë Lajçak e kishte paralajmëruar nëpërmjet rrjeteve sociale, ndonëse nuk kishte përmendur datë. Ai gjithashtu ka konfirmuar qëllimin e mbajtjes së një takimi ne nivel kryenegociatorësh. Kjo për Bashkimin Evropian në këtë moment konsiderohet prioritare, sidomos në dritë të ngjarjeve të fundit në veri.

Lajçaku në Qeveri, nis takimin me Bislimin

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka nisur sot një vizitë në Kosovë.

Laçaku para pak minutash ka arritur në objektin e Qeverisë së Kosovës, ku do të pritet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Kjo vizitë, siç ka deklaruar edhe vet Lajçaku javën e kaluar, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak sot në Prishtinë, përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian do të dërgojë të sot në Prishtinë përfaqësuesin e posaçëm, Miroslav Lajçak, në një përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, mes thirrjeve drejtuar autoriteteve në Kosovë që të shmangin ato që zyrtarët perëndimorë i cilësojnë veprime të njëanshme në veri.

Zëdhënësi i bllokut,Peter Stano, tha të enjten se “ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Lajçak paralajmëroi se vizita në Prishtinë do të jetë pjesë e përpjekjeve për organizimin e një takimi mes kryenegociatorëve të të dyja palëve mes shqetësimeve perëndimore për shtimin e tensioneve në veri të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimin nëpër Serbi pas paralajmërimeve nga një grup i serbëve për mbylljen e vendkalimeve kufitare me Kosovën për shkak të zhvillimeve në veri.

Një grup qytetarësh në Serbi, tha se synon që nga sot të bllokojë vendkalimet kufitare me kërkesën për tërheqjen e forcave të Policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve të Serbisë atje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat