Rrëfimi i qytetarit që u mashtrua dhe u pagoi 150 mijë euro mashtruesve

Aktuale

Rrëfimi i qytetarit që u mashtrua dhe u pagoi 150 mijë euro mashtruesve

Më: 6 shtator 2024 Në ora: 09:11
Ilustrim

Investimi në kriptovaluta është bërë trend që po i shtynë shumë kosovarë të cilët japin shuma të majme parash. Megjithatë, tregu është i mbushur me persona të cilët zhvatin para me premtime të rrejshme. Për plot raste të tilla është denoncuar në vazhdimësi një grup prej disa të dyshuarve, njëri prej të cilëve ra së fundmi në prangat e Policisë së Kosovës.

I shumëkërkuari që njihet për mashtrime me kriptovaluta, Fitim Cakolli, u kap të mërkurën në Pejë, për çka media raportoi ekskluzivisht.

Ndaj tij dhe tre të dyshuarve të tjerë, Rona Salihut, Laurant Gashit dhe Erza Salihut, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë vitin e kaluar, për mashtrimet nga mesi i vitit 2020 deri kah fundi i 2022.

Sinjali ka siguruar aktakuzën ndaj grupit të dyshuar, për të cilët është raportuar edhe më parë, për rastet në të cilat janë përfshirë.

Grupi i akuzuar ngarkohet me veprën penale Mashtrimi në bashkëkryerje, si dhe për veprën penale Shmangia nga tatimi.

Njëri nga kosovarët që ka rënë pre e këtij grupi, ka paguar hiç më pak se 150 mijë euro, që sipas viktimës kanë përfshirë kursime, stolitë e arit të bashkëshortes dhe shuma të ndryshme që ka marrë borxh në vazhdimësi.

“Ne fillim të këtij mashtrimi nga ana e mashtruesve kam pasur para të mia nga kursimet e më hershme rreth 140 mijë euro përfshirë këtu edhe parat e fëmijëve dhe arin e gruas të cilat ju kam dhanë mashtruesve në periudhat e ndryshme nga viti 2020, pastaj unë me që nuk kisha mundësi që të ju bëja pagesat e tjera dhe me synimin se do ti merrja parat e mija dhe fitimin kam marr para borxh nga miqtë e mi në shuma të ndryshme, nga familja ime e ngushtë ju kam marr para ne vlerë prej 115 mijë euro për ti mbuluar borxhet e mia. Gjithash borxh kam marr vazhdimisht edhe nga shokët e mi që kemi punuar bashkë në treg ne shuma të ndryshme prej 960 euro deri në shumën 50 mijë euro”.

I dëmtuari kishte deklaruar po ashtu se ka pasur raste kur dy herë brenda ditës i kanë kërkuar që të kryejë pagesa, duke përmendur përfshirjen e anëtarëve të grupit që kanë pranuar paratë.

“…diku në qershor apo korrik të vitit 2020, B.Fejzullahoviq mi ka kërkuar fillimisht 20 mijë euro për sëmundje të nënës dhe pak më vonë mi ka kërkuar edhe 20 mijë euro tjera për sëmundjen e bashkëshortes të cilat më ka premtuar se do ti kthej për vitin e ri. Kur kishte ardhur koha për ti kthyer paratë, Besniku i kishte thanë që parat i ka investuar në “Bitcoina” dhe i ka thanë se po me duhen edhe një pagës me bërë në vlerë prej 2500 euro në kesh për të mbyllur procesin dhe për të tërhequr parat dhe se pasi që ti tërheq këto parat do ta kthej obligimin dhe se do te jap edhe një shumë të fitimit qe ka dal nga valuta “Bitcoin”.

“I dëmtuari ishte pajtuar duke i besuar dhe ja ka dhanë këto para. Pas kësaj date thuajse çdo javë apo në rastet e caktuar ka ndodhur edhe dy herë brenda ditës me kanë kërkuar para për të bërë pagesa në shuma të ndryshme duke filluar nga 36 euro dhe deri te shuma më e lartë 5050 euro, dhe kjo ka vazhduar deri në Qershor 2022, kur e kam kryer pagesën e fundit në shume prej 270 euro të një personi ashtu siç me kanë thanë ata me ermin Salih por mjetet ka ndalur në emër të Rona Salihut Ashtu siç e kam thanë në fillim të kësaj deklaratë unë e kam njohur vetëm shokun tim B.Fejzullahoviq dhe pagesat e fillimit ja kam dhanë atij ndërsa diku rreth muaji Mars apo Prill të vitit 2021 ka filluar të më shkruaj në telefon personi me emrin Ardit Cakolli me të cilin kam komunikuar deri në Qershor, por edhe pasi e kam lajmëruar në stacionin policor rastin ne Gusht të vitit 2022 i kam shkruajt prapë dhe mi ka kthyer mesazhet dhe më ka thanë se kjo pune është e kryer dhe se paret kanë me të ardhë.

Pas disa komunikimeve unë ju kam kërkuar që të mi kthejnë parat e mija së paku 150 mijë euro dhe pjesën tjetër ju kam thanë kur kanë mundësi, por ata kanë reaguar duke më thanë nuk ke nevojë ti maresh një pjesë te parave sepse ti do ti marrësh të gjitha parat e tua. Kam tentuar që ti bindi edhe ka ana e dhimëshmëris duke ju than se kam shkuar në fshat për të jetuar dhe se shtëpinë duan me ma marr për borxh si dhe më është ndarë gruaja me fëmijë por as këto fjalë nuk kanë quar pesh për ta për të mu përgjigjur për ti kthyer parat e mija.

Shoku im më ka than se e ka shok Fitimin por unë asnjëherë nuk kam komunikuar me të direkt por mjetet financiare i kam bartur në llogari të tij Fitim Cakollit, Rona Salihut, Erza Salihur, Lirie Jasharit dhe Besnik Shabanit.”

Ndryshe, Fitim Cakolli, dyshohet edhe për raste të tjera të mashtrimeve përmes premtimeve të rrejshme për investime në kriptovaluta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat