Zhvillimet e fundit, bllokohet rruga në afërsi të pikës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës në Merdarë

Aktuale

Zhvillimet e fundit, bllokohet rruga në afërsi të pikës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës në Merdarë

Më: 6 shtator 2024 Në ora: 18:02 Përditësuar në ora: 21:25 më 06.09.2024
Dy vetura dhe disa persona e bllokojnë rrugën në pjesën serbe të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdarë, 6 shtator.

MPB njofton se pikat në Merdare, Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara për qytetarët me dokumente të Kosovës

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Ministrisë së Punëve të Brendshme në përditësimin e fluksit në pikate kufitare të Kosovës, ka treguar se cilat pika janë të bllokuara për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.

Në të dhënat e zakonshme të fluksit kufitar që Ministria e Punëve të Brendshme i përditëson kohë pas kohe, përditësimi i fundit tregon se pikat kufitare: Jarinje, Bërnjak, Merdare janë të bllokuara.

Derisa fluksi në pikat tjera kufitare është zero, në këto tri pika që çojnë për në Serbi thuhet se hyrje-daljet janë të bllokuara për shtetasit me dokumente të Republikës së Kosovës.

Për dallim nga këto tri pika, Mutivoda, Muçibaba dhe Dheu i Bardhë, që çojnë po ashtu për në Serbi, nuk janë mbyllur.

Ndryshe, dhjetëra qytetarë serbë kanë bllokuar këto pika.

Protesta është paralajmëruar disa ditë më parë, e motivuar nga aksioni i para shtatë ditëve, ku Policia e Kosovës mbylli 5 objekte që operonin ilegalisht si komuna paralele serbe.

“Ka bllokadë, por unë kalova”: Qytetari serb kalon nga Serbia në Kosovë përmes Jarinjes

Një qytetar serb ka kaluar kufirin nga Serbia për në Kosovë, në pikëkalimin kufitar të Jarinjes.

Në një prononcim për media, ai ka thënë se ka bllokadë nga ana e Serbisë, mirëpo ai e ka kaluar.

“Ka bllokadë, por unë kalova. Nuk mund të them sa njerëz janë, por ka disa njerëz, ka afishe… por unë kalova”, deklaroi ai.

Ndërkaq në pikën kufitare të Jarinjes, nga ana kosovare, po qëndrojnë edhe pjesëtarë të KFOR-it.

Bllokohen pjesërisht rrugët në dy pika kufitare mes Serbisë dhe Kosovës

Rrugët në pjesën serbe që çojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdarë dhe Jarinje, janë bllokuar pjesërisht pasditen e së premtes nga një grup i vogël njerëzisht, në shenjë proteste ndaj vendimeve të autoriteteve kosovare në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Organizatorët kanë thënë se do t'i lejojnë të futen apo dalin vetëm udhëtarët me dokumente serb, por jo edhe ata me dokumente kosovare.

Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Autobusit me udhëtarë i ndalohet hyrja në Serbi

Një autobus me udhëtarë është kthyer mbrapa në pikën kufitare në Bërnjak, i është ndaluar hyrja në Serbi.

Ekipi i medias, është duke qënduar në Bërnjak, ku në pamjet e dërguara shihet autobusi duke u kthyer mbrapa.

Ndryshe, situata në këtë pikë është e qetë dhe se qarkullimi i veturave është i pakët.

Edhe situata në pikë kalimin kufitar tek Dheu i Bardhë është e qetë, pas paralajmërimit për bllokimin e pikave kufitare të cilat lidhin Serbinë me Kosovës, thirrje kjo e lëshuar nga e ashtuquajtura “Organizata për bllokada në Serb”.

Po ashtu situatë e qetë aktualisht është edhe në Merdarë.

Bllokohet rruga në afërsi të pikës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës në Merdarë

Rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdarë, është bllokuar në pjesën serbe pasditen e së premtes.

Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës.

Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – Jarinje dhe Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.

Rasha Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, tha më herët për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe.

Rojeviq tha në një intervistë për REL-in se bllokadat janë "reciprocitet i asaj që Kurti po ua bën serbëve" në Kosovë.

Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit muajt e fundit – për cfarë janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.

Më 2022, serbët në veri i bllokuan rrugët drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë pas arrestimi të një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Ato ishin hequr pas disa javësh./REL

​Më të fundit nga Jarinje, policia këshillon mërgimtarët të mos shkojnë drejt Serbisë

Policia e Kosovës është duke i kryer në vazhdimësi detyrat e saj në pikën kufitare në Jarinje, ndërkohë që serbët kanë paralajmëruar bllokimin e kësaj pike kufitare.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë parë të veshur me antiplumb, ndërkohë që prezentë janë edhe forcat e KFOR-it dhe EULEX-it, të cilat janë duke vëzhguar situatën.

Raportohet se një numër i vogël serbësh janë mbledhur 500 metra në largësi nga pika kufitare në pjesën e territorit të Serbisë, të cilët po qëndrojnë në një kafene aty pranë.

Policia e Kosovës po i rekomandon veturat me mërgimtarë që të mos e kalojnë kufirin drejt Serbisë.

Ndryshe, kryetari i së ashtuquajturit asociacion i qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës. 

​Gjendja aktuale në Jarinje

Qarkullimi i automjeteve në pikën kufitare në Jarinje është duke u vazhduar pa probleme ndërkohë që pritet që serbët të bllokojnë këtë pikë kufitare nga pjesa e territorit të Serbisë duke filluar nga ora 18:00.

Kryetari i së ashtuquajturit asociacion i qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës.

Bllokada do të organizohet nga shoqatat vendase të qytetarëve nga Kosova dhe se katër nga pesë vendkalimet kufitare nga drejtimi i Serbisë qendrore dhe Malit të Zi do të bllokohen.

“Bllokada do të fillojë nesër në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës. Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të merr kontrollin e veriut të Kosovës”, tha Rojeviq.

Sipas tij, bllokadat do të zgjasin derisa të plotësohen kërkesat e qytetarëve.

"Ne do të bllokojmë vendkalimet Bërnjak, Jarinje dhe Merdare nga ana e Serbisë qendrore, dhe kalimin Kulla në rrugën Pejë-Rozhaje nga ana e Malit të Zi. Vendkalimi Konçul nuk do të bllokohet tani për tani. Do të lejojmë vetëm automjete spitalore, si dhe të gjitha automjetet dhe pasagjerët e tjerë me dokumente serbe. Nëse dokumentet serbe nuk janë të vlefshme në Kosovë, atëherë dokumentet e Kosovës nuk mund të jenë të vlefshme as në Serbinë qendrore”, tha Rojeviq duke shtuar se të jenë të paktën 400 persona në bllokadë në çdo vendkalim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat