“Nuk m’heqin qafe edhe aq lehtë!”, kë e paralajmëroi presidentja Osmani?

Aktuale

“Nuk m’heqin qafe edhe aq lehtë!”, kë e paralajmëroi presidentja Osmani?

Më: 9 shtator 2024 Në ora: 10:44
Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë të transmetuar të dielën nga “Kallxo.com” me Jeta Xharrën, dha një paralajmërim të fortë: “Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë.” Kujt po i referohej ajo?

Xharra e pyeti presidenten Osmani: “A mendon që ke me vazhdu me qenë n’politikë pas postit të presidentes?”

Me një buzëqeshje në fytyrë, presidentja Osmani u përgjigj në mënyrë interesante: “Nuk m’heqin qafe edhe aq lehtë.”

Para kësaj pyetjeje, Xharra e pyeti Osmanin se a do të hidhërohej nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta kandidonte përsëri për presidentje dhe a do të donte të kishte një mandat të dytë.

Osmani u përgjigj: “Ende nuk e kam vendosë një gjë të tillë, t’them shumë sinqerisht, për shkak se ka shumë faktorë që duhet me u marrë parasysh.”

Kur Xharra e pyeti se a do të hidhërohej, nëse Vetëvendosja do të hidhërohej dhe nuk do ta kandidonte përsëri për presidente, Osmani tha: “Jo, sepse edhe kandidimi nuk ka qenë i Vetëvendosjes herën e kalume, ka qenë i përbashkët, dorën në zemër, sepse kur patëm kandidu ndamas, unë i pata marrë diku 200 mijë vota, diku 225 mijë Vetëvendosja, po kur u bashkuam pastaj, i bonëm 440 mijë vota.”

“Ajo çka po them unë është se ajo ka qenë forcë e përbashkët, rezultat i përbashkët. Rrjedhimisht, edhe ne të dy [Osmani dhe Kurti] kemi qenë në krye të fushatës, kandidat për president dhe për kryeministër, pra e kemi përkrahë njëri-tjetrin, sepse kur po përkthehet “jo, ty t’ka përkrahë Vetëvendosja”. Po kadale, se reciproke ka qenë kjo gjë. Reciproke ka qenë kjo gjë. I kemi bashku forcat dhe besoj se kemi arritë një rezultat t’mirë” – shtoi Osmani.

“Pavarësisht krejt atyre akuzave që i bëre më herët, besoj që është bërë një punë e mirë në shumë drejtime. A kanë mujtë shumë sektorë me bo ma mirë? Po, dhe ka edhe te ne shumë shpesh frustrim: pse s’është bërë kjo, kjo, kjo… Megjithatë, unë nuk i bie pishman për bashkëpunimin që e kemi pasë në asnjë moment” – tha më tej presidentja.

Xharra ndërhyri: “...që votat e tua u përdorën për me e çu Vetëvendosjen n’pushtet…”

Osmani reagoi shpejt: “Po nuk lejoj unë askënd me m’përdorë, mos…, t’lutem! Nuk e lejoj askënd. Unë jam tu e përfaqësu shtetin tim, jam tu e mbrojtë interesin e shtetit tim, jam tu e bo t’pamundurën që interesi i popullit t’Kosovës të mbrohet brenda dhe jashtë vendit. Nuk lejoj me m’përdorë askush, se as kur kam qenë 22 vjeçe e kur kam qenë n’politikë, nuk kam leju një gja të tillë, e le mo tash.”

Kujtojmë se tashmë janë të ditura që Osmani dhe Qeveria nuk kanë marrëdhënie të mira mes tyre.

Osmani shpesheherë ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për tema të ndryshem, kryesisht për politikën e jashtme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat