​KEK-u po forcohet çdo ditë, 149 punëtorë i bashkohen kompanisë

Aktuale

​KEK-u po forcohet çdo ditë, 149 punëtorë i bashkohen kompanisë

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 16:31
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se KEK-u po forcohet çdo ditë, derisa thekson se 149 punëtorë të rinj i janë bashkuar kësaj kompanie sot.

Gjatë vizitës në Termocentralin “Kosova B”, në të cilin janë duke u bërë remontet në përgatitje për sezonin dimëror, i pari i Qeverisë së vendit theksoi rëndësinë e shtimit të kuadrove të reja dhe inkuadrimin e sa më shumë të rinjve dhe të rejave në këtë drejtim.

Kurti: Është i domosdoshëm inkuadrimi i punëtorëve të rinj në KEK

“Faleminderit shumë që na keni bërë bashkë sot për një ditë të gëzuar edhe për juve dhe për neve, e rrjedhimisht edhe për shtetin tonë e qytetarët e Republikës. Për juve, sepse po lidhni marrëdhënie pune, për neve për shkak se po forcojmë KEK-un, ndërkaq për shtetin dhe qytetarët për shkak se duam që të kemi furnizim sa më të qëndrueshëm me energji elektrike, me çmime sa më të përballueshme. Për ta mbajtur hapin për prodhimtari të qëndrueshme të energjisë elektrike është i domosdoshëm inkuadrimi i punëtorëve të rinj dhe ky është një lajm i mirë edhe për juve dhe për Kosovën që sot 149 punëtorë të rinj po i bashkohen KEK-ut dhe me këtë rast ju dëshiroj punë të mbarë, e suksese edhe për veten e familjet tuaja, por edhe për shoqërinë tonë, ekonominë e Republikën e Kosovës”, tha Kurti.

E pranishme në këtë vizitë ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka treguar planifikimet që kanë ndërmarrë në këtë drejtim.

Rizvanolli: Kapacitetet e erës, planifikojmë që KEK-u të jetë akter kyç

“Ne planifikojmë që ndërtimi i kapaciteteve të erës në kuadër të partneritetit publiko-privat, i cili do të lansohet në tetor të këtij viti, planifikojmë që KEK-u gjithashtu të jetë akter kyç këtu duke qenë aksionar në emër të shtetit në kompaninë që do të themelohet në të ardhmen për këtë qëllim”, tha Rizvanolli. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat