Organizata “Linja e Jetës”, e ka dorëzuar të martën në Kuvendin e Kosovës, peticionin për projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes.
Lidhur me këtë peticion, ka folur Bind Skeja, nga organizata “Linja e Jetës”, i cili ka treguar se çfarë kërkojnë të përmbajë ligji.
Skeja, ka thënë se ndër të tjera, kërkojnë që ligji të përmbajë shërbime klinike për parandalimin e vetëvrasjes, bashkëpunim me mediat për raportim sa më etik të vetëvrasjeve, mbështetje specifike për komunitetet jo shumicë, si dhe mekanizma për mbledhjen e të dhënave të vetëvrasjes.
“Ky ligj kemi kërkuar të përmbajë shërbime klinike të përshtatshme për qytetetarët do të thotë psikologu dhe psikiatri por të specializuar në fushën e parandalimit të vetëvrasjes. Të ketë gjithashtu mbështetje jo klinike që janë mbvështetje speciale ku mundet ta marrin formën e asistences ekonomike ose ndoshta me banim, në baza komunitare për shembull ndërtimin e qendrave komunitare, të ketë bashkëpunim me mediat që raportimi i vetëvrasjeve të jetë sa më etik, të sigurohet që secili institucion e ka një objetiv që merret me parandalimin e vetëvrasjes për shembull shkollat duhet ta kenë objektiv që ata të mund të identifikojnë se cili është roli i tyre në parandalimin e vetëvrasjes në hapësirat e tyre shkollore, gjithashtu përmes ligjit të krijohet mbështetje specifike për komunitetet jo shumicë për shembull komuniteti quer që kanë shumë më shumë shifra të vetëvrasjes se personat heteroseksual si dhe të sigurohen mekanizma të cilat i numërojnë shifrat e vetëvrasjeve për shkak se nuk kemi mekanizma të tilla të besueshme”, ka theksuar Skeja.
Për gjuhën fyese të përdorur nga disa deputetë ndaj komuniteteve, Skeja ka deklaruar se është një lloj kontributi në nxitjen e urrejtjes ndaj komunitetit, si dhe një lloj kontributi i tyre për siç ka thënë ai, në dërgimin e këtyre individëve drejt vetëvrasjes.
“Nëse ti del edhe nxit urrejtje ndaj një komuniteti, edhe atë komunitet e bën të duket më të papranueshëm prej popullatës, edhe ai komunitet pastaj rrjedhimisht do të ketë më shumë vështirësi në jetën e tyre, atëhere ti drejtëpërdrejtë je duke i dërguar këta individë në vetëvrasje. Çdo vetëvrasje që ndodh sot në Kosovë të komuniteti queer, në njëfarë mënyre mund të i atribohet këtyre komenteve të Duda Baljes, të Burim Metës e të deputetëve tjerë që dalin dhe flasin shumë lirshëm, për shkak se ata kontribojnë direkt në shtypjen e tyre si grupe të margjinalizuara, kontribojnë që ata të kenë më shumë urrejtje në jetën e tyre, si dhe kontribojnë që ata të jenë më të pabarabartë sesa qytetarët tjerë, e liria dhe barazia janë themel që ndikojnë që njeriu të mos përfundojë në vetëvrasje”, ka shtuar ai.
Ndërsa, i pyetur se a përfshihet kjo gjuhë fyese në kërkesën e tyre, Skeja ka thënë se nuk e kanë parë të nevojshme ta përfshijnë ‘për shkak se këto mekanizma veçse ekzistojnë por vetëm nuk janë duke u përdorur’.
“Jo nuk përfshihet si kërkesë në peticion, për shkak se këto mekanizma veçse ekzistojnë por vetëm nuk janë duke u përdorur, do të thotë kryetari i kuvendit ka mundësi me ua tërheq vërejtjen deputetëve tjerë. Por, gjithashtu është në pritje rregullorja për ndalimin e gjuhës së urrejtjes në kuvend, e cila do t’i përcaktojë rregullat specifike që duhet ti ndjekin deputetët, në mënyrë që të mos promovojnë gjuhë të urrejtjes, prandaj nuk e kemi parë si të nevojshme që ta cekim në peticion”, ka thënë Skeja.