Qeveria e Kosovës siguron strehim për 15 afganë dhe familjet e tyre
Qeveria e Kosovës u ka siguruar strehim dhe mbrojtje 15 shtetasve afganë dhe familjeve të tyre.
Vendimi është miratuar të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Propozimi parashihte ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme të personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.
Procesi i mbrojtjes dhe strehimit të tyre do të realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se bëhet fjalë për gjithsej 85 persona, të cilët janë të rrezikuar nga militantët talebanë.
Ata kanë ikur nga Afganistani pasi ky vend ka rënë nën kontrollin e militantëve talibanë në vitin 2021.
Shumica e atyre që emigruan pas vitit 2021, sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, kishin punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikane dhe forcat e tjera aleate të NATO-s dhe tani kërcënohen nga talibanët.
Kurti: Në veri po bëjmë investime që nuk janë bërë në dy dekada
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vizitat e zyrtarëve shtetëror në veri të vendit nuk janë kundër askujt, andaj shtoi se duhet të lihen anash çfarëdo paragjykim nga secili. Ai theksoi se në veri po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekadat e kaluara, derisa tha se mbyllja e komunave paralele në veri ishte e domosdoshme për t’i hapur rrugë rritjes së shërbimeve publike të ligjshme për qytetarët në veri.
Ndërkaq, akuzoi Serbinë se është për mbyllje dhe kufizim, siç u dëshmua javën e kaluar me mbylljen e rrugëve në pikë kalimet kufitare me Kosovën.
Kurti para kabinetit qeveritar të mërkurën duke folur për vizitën e tij të djeshme në veri, tha se e njëjta është e domosdoshme për të kuptuar nevojat që katër komunat veriore i kanë.
Kurti: Po bëjmë investime në veri që nuk janë bërë në dy dekada
“Vizitat tona të zyrtarëve shtetëror në këto komuna (veriore) nuk janë kundër askujt. Ato në fakt janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë, pasi të kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jona angazhohet që nga dita e parë. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella dhe për të kuptuar sesa anash janë lënë qytetarët atje ne po i bëjmë këto vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekada pararendëse. Po shtohen shërbime që iu kanë munguar qytetarëve”, tha ai.
Sa i përket mbylljes së komunave paralele serbe në veri, Kurti tha se ato kanë funksionuar ilegalisht, andaj kjo ka mundësuar që institucionet e Kosovës të ofrojnë shërbime të ligjshme.
Ai përmendi shërbimet që pritet të hapen në veri, derisa nënvizoi se të njëjtat do t’i ofrojnë qytetarët.
Kurti: Qeveria s’po mbyll zyre në veri, përkundrazi po rritë shërbimet publike për qytetarët
“Në fund të muajit të kaluar pas raportimeve dhe dëshmive të konfirmuara se në katër komunat veriore po funksionojnë komunat paralele të Serbisë në hapësira të uzurpuara dhe po bëjnë veprimtari ilegale institucionet tona të sigurisë kishin ndërmarrë veprime për mbylljen e tyre. Kjo na ka mundësuar që pastaj të ofrojmë shërbime të ligjshme. Në ato objekte do të funksionalizohen njësia e patent shoferëve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës, Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Shërbimi për regjistrimin e automjeteve dhe shërbime të tjera të ministrisë së Ekonomisë. MINT dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Qeveria jonë nuk po mbyll zyre, përkundrazi po hap zyre, s’po zvogëlon shërbimet, por po i shton ato. S’po i largon shërbimet publike prej qytetarëve po i afron ata. Kësisoj duhet të shihen veprimet tona në veri të vendit”, tha ai.
Sipas tij, Serbia është për mbyllje dhe kufizim, siç u pa edhe javën e kaluar me mbylljen e rrugëve në Serbi në pikë kalimet kufitare me Kosovën.
Kurti: Serbia është për mbyllje dhe kufizim
“Se kush është për mbyllje dhe kufizim e pamë javën e kaluar. Grupe personash të maskuar, në prani të policisë së Serbisë në kufij me Kosovën, por në territorin e Serbisë bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura dhe legjitimuar qytetarë për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike. Gjatë këtyre ditëve institucionet tona kanë punuar që planet dhe qëllimet e këtyre grupeve të dështojnë siç edhe ndodhi”, përfundoi Kurti.
Qeveria emëron Bekim Hoxhën kryeshef të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë
Qeveria e Kosovës ka emëruar Bekim Hoxhën kryeshef të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Kryeministri Albin Kurti tha se nga procesi i rekrutimit për drejtor ekzekutiv, komisioni rekrutues ka bërë një punë profesionale në përzgjedhjen e kandidatit.
Ndërkaq, në prezantimin e propozim-vendimit, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se ky vendim përbën një hap të rëndësishëm lidhur me menaxhimin dhe drejtimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si agjencia kyçe në implementimin e politikave zhvillimore të bujqësisë, por edhe sigurisë ushqimore në vendin tonë.
“Drejtimi i suksesshëm i kësaj agjencie është thelbësor për arritjen e objektivave strategjike në këtë sektor”.
Minsitri Peci tha se përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të jashtëm kanë qenë pjesë e komisionit rekrutues dhe tha se kanë zgjedhur kandidatin më të përgatitur për të marrë këtë post.
Kurti: Policia e inteligjenca mundësuan dështimin e disa planeve të grupeve të maskuara në kufi, faleminderit policëve e agjentëve tanë
Kryeministri i vendit Albin Kurti tha se policia dhe inteligjenca kanë mundësuar dështimin e qëllimeve të grupeve që në kufi me Kosovën, në territorin e Serbisë po i ndalnin qytetarët në fund të javës së kaluar.
Kurti tha në mbledhjen e sotme të Qeverisë se policia dhe inteligjenca “punuan nga minuta në minutë”.
“Se kush është për mbyllje dhe kufizim e pamë edhe njëherë në fund të javës së shkuar. Grupe personash të maskuar pranë Policisë së Serbisë, në kufi me Republikën e Kosovës por në territorin e Serbisë bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura e legjitimuar udhëtarë për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike. Gjatë atyre ditëve, institucionet tona, policia dhe inteligjenca kanë punuar nga minuta në minutë që planet dhe qëllimet e këtyre grupeve të dështojnë, siç edhe ndodhi”, tha Kurti.
Ai tha se “ka shumë punë që bëhen, për të cilat nuk dihet fort në publik e nuk ka aq diskutime në publik”, duke iu referuar këtij rasti.
“Me këtë rast dua të shpreh një falënderim të veçantë për të gjithë zyrtarët policorë dhe agjentët tanë të cilët janë kujdesur e përkujdesen çdoherë që publiku e qytetarët të shohin dhe jetojnë dhe përjetojnë vetëm rezultatet pozitive, përkundër planeve të këqija që synohen, por nuk realizohen dhe s’merren vesh asnjëherë”, tha Kurti.
Kurti: Byroja do të bëhet, pavarësisht tendencave për ta zvarritur jetësimin e saj
Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është votuar projektligji i ndryshuar për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Para votimit, Kurti ka thënë se “pavarësisht tendencave për ta zvarritur jetësimin e këtij ligji, Byroja do të bëhet”.
Kurti tha se Gjykatës Kushtetuese iu deshën 17 muaj për të nxjerrë një aktgjykim për këtë Ligj.
“Le të vazhdojmë me shqyrtimin e projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Njëra ndër nismat më të rëndësishme të qeverisë sonë, përmes së cilës luftohet keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ndiqet pasuria e pajustifikueshme është koncepti i konfiskimit civil. Ndonëse ligji për Byronë ishte votuar në Kuvend më 9 shkurt 2023, një grup opozitar e kontestoi në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatës Kushtetuese iu deshën plot 17 muaj për të nxjerrë aktgjykim për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, 17 muaj për një aktgjykim i cili rrëzoi vetëm katër nene nga gjithsej 71 sa kishte ligji.
Të nderuar kolegë pas publikimit të këtij aktgjykimi më 29 korrik të këtij viti, MD me përkushtim ka adresuar ndryshimet në këto katër nene dhe ka finalizuar projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin e keni para vetës. Pavarësisht tendencave për ta zvarritur jetësimin e këtij ligji të rëndësishëm, Byroja do të bëhet, jetësimi i konceptit të konfiskimit civil si zotim i yni, përveçse do ta ruajë pasurinë publikë dhe do t’ia kthejë shtetin atë që është përfituar kundërligjshëm, Byroja gjithashtu do të shërbejë edhe si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”, tha Kurti.
Kurti: Vizitat në veri s’janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vizitat në veriun e vendit nuk janë kundër askujt. Madje, ai i ka cilësuar të domosdoshme për të kuptuar nevojat e qytetarëve atje.
Në mbledhjen e qeverisë, ai shtoi se në veri të vendit po bëhen investime që siç tha ai, nuk janë bërë në dy dekada.
“Dje bashkë me Xhelal Sveçlën dhe Elbert Krasniqin ishim në një vizitë në komunën e Leposaviqit, përkatësisht në fshatrat Bistricë, Cërajë dhe Leshak dhe më pas në komunën e Mitrovicës së Veriut. Vizitat tonë të zyrtarëve shtetërorë në këto komuna nuk janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë pasi ta kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë e saj. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella, dhe për të kuptuar sesa anash janë lënë qytetarët atje, ne po i bëjmë këto vizita të cilat janë vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekada, po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve”, u shpreh shefi i qeverisë.
Miratohet në qeveri Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë
Qeveria e Kosovës e ka miratuar të mërkurën Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Projektligji është miratuar me unanimitet të plotë në mbledhjen e kabinetit qeveritar.
Kryeministri Albin Kurti tha se projektligji paraqet një nga nismat më të rëndësishme të qeverisë së udhëhequr prej tij.
“Një ndër nismat më të rëndësishme të qeverisë sonë, përmes së cilës luftohet keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ndiqet pasuria e pajustifikueshme përmes konceptit të konfiskimit civil”, tha ai.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha gjatë prezantimit të projektligjit se procedimi i tij për votim në Kuvendin e Kosovës është “një fitore e qartë për shtetin e së drejtës”.
“Pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë ka adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese. Siç kemi theksuar edhe më parë, një nga triumfet më të mëdha është konfirmimi se konfiskimi civil është kushtetues, duke e cilësuar si një instrument legjitim dhe proporcional për luftimin e korrupsionit në sektorin publik. Kjo është një fitore e qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që abuzojnë me detyrën zyrtare”, tha Haxhiu.
Ajo tha se Ministria e Drejtësisë nuk ka draftuar një ligj të ri, por ka adresuar vetëm katër çështje të cilat janë konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën.
Kurti mbledh ministrat, ky është rendi i ditës
Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.
Në mbledhjen që pritet të fillojë në ora 10:00, në rend të ditës janë gjithsej 14 pika.
Ndër të tjera në mbledhjen e sotme do të shqyrtojë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Po ashtu do të bëhet Shqyrtimi i Draftit të Programit Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse të Republikës së Kosovës.