Miratohet në qeveri Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë

Aktuale

Miratohet në qeveri Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë

Më: 11 shtator 2024 Në ora: 11:13
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të mërkurën Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Projektligji është miratuar me unanimitet të plotë në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

Kryeministri Albin Kurti tha se projektligji paraqet një nga nismat më të rëndësishme të qeverisë së udhëhequr prej tij.

“Një ndër nismat më të rëndësishme të qeverisë sonë, përmes së cilës luftohet keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ndiqet pasuria e pajustifikueshme përmes konceptit të konfiskimit civil”, tha ai.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha gjatë prezantimit të projektligjit se procedimi i tij për votim në Kuvendin e Kosovës është “një fitore e qartë për shtetin e së drejtës”.

“Pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë ka adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese. Siç kemi theksuar edhe më parë, një nga triumfet më të mëdha është konfirmimi se konfiskimi civil është kushtetues, duke e cilësuar si një instrument legjitim dhe proporcional për luftimin e korrupsionit në sektorin publik. Kjo është një fitore e qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që abuzojnë me detyrën zyrtare”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Ministria e Drejtësisë nuk ka draftuar një ligj të ri, por ka adresuar vetëm katër çështje të cilat janë konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat