​Kurti: Në veri po bëjmë investime që nuk janë bërë në dy dekada

Aktuale

​Kurti: Në veri po bëjmë investime që nuk janë bërë në dy dekada

Më: 11 shtator 2024 Në ora: 11:22
Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vizitat e zyrtarëve shtetëror në veri të vendit nuk janë kundër askujt, andaj shtoi se duhet të lihen anash çfarëdo paragjykim nga secili. Ai theksoi se në veri po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekadat e kaluara, derisa tha se mbyllja e komunave paralele në veri ishte e domosdoshme për t’i hapur rrugë rritjes së shërbimeve publike të ligjshme për qytetarët në veri. Ndërkaq, akuzoi Serbinë se është për mbyllje dhe kufizim, siç u dëshmua javën e kaluar me mbylljen e rrugëve në pikë kalimet kufitare me Kosovën.

Kurti para kabinetit qeveritar të mërkurën duke folur për vizitën e tij të djeshme në veri, tha se e njëjta është e domosdoshme për të kuptuar nevojat që katër komunat veriore i kanë.

Kurti: Po bëjmë investime në veri që nuk janë bërë në dy dekada

“Vizitat tona të zyrtarëve shtetëror në këto komuna (veriore) nuk janë kundër askujt. Ato në fakt janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë, pasi të kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jona angazhohet që nga dita e parë. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella dhe për të kuptuar sesa anash janë lënë qytetarët atje ne po i bëjmë këto vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekada pararendëse. Po shtohen shërbime që iu kanë munguar qytetarëve”, tha ai.

Sa i përket mbylljes së komunave paralele serbe në veri, Kurti tha se ato kanë funksionuar ilegalisht, andaj kjo ka mundësuar që institucionet e Kosovës të ofrojnë shërbime të ligjshme.

Ai përmendi shërbimet që pritet të hapen në veri, derisa nënvizoi se të njëjtat do t’i ofrojnë qytetarët.

Kurti: Qeveria s’po mbyll zyre në veri, përkundrazi po rritë shërbimet publike për qytetarët

“Në fund të muajit të kaluar pas raportimeve dhe dëshmive të konfirmuara se në katër komunat veriore po funksionojnë komunat paralele të Serbisë në hapësira të uzurpuara dhe po bëjnë veprimtari ilegale institucionet tona të sigurisë kishin ndërmarrë veprime për mbylljen e tyre. Kjo na ka mundësuar që pastaj të ofrojmë shërbime të ligjshme. Në ato objekte do të funksionalizohen njësia e patent shoferëve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës, Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Shërbimi për regjistrimin e automjeteve dhe shërbime të tjera të ministrisë së Ekonomisë. MINT dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Qeveria jonë nuk po mbyll zyre, përkundrazi po hap zyre, s’po zvogëlon shërbimet, por po i shton ato. S’po i largon shërbimet publike prej qytetarëve po i afron ata. Kësisoj duhet të shihen veprimet tona në veri të vendit”, tha ai.

Sipas tij, Serbia është për mbyllje dhe kufizim, siç u pa edhe javën e kaluar me mbylljen e rrugëve në Serbi në pikë kalimet kufitare me Kosovën.

Kurti: Serbia është për mbyllje dhe kufizim

“Se kush është për mbyllje dhe kufizim e pamë javën e kaluar. Grupe personash të maskuar, në prani të policisë së Serbisë në kufij me Kosovën, por në territorin e Serbisë bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura dhe legjitimuar qytetarë për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike. Gjatë këtyre ditëve institucionet tona kanë punuar që planet dhe qëllimet e këtyre grupeve të dështojnë siç edhe ndodhi”, përfundoi Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat