Padia zyrtare, Milan Radojçiq dhe 44 të tjerë akuzohen për terrorizëm në veri
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka deklaruar se sot është ngritur aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku i akuzuari kryesor është edhe udhëheqësi i grupit Milan Radojçiq i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Isufaj në një konferencë për media, tha se për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe financimit të terrorizmit e shpëlarjes së parave.
Ai shtoi se ekzaminimet që janë bërë jashtë vendit, kanë ndikuar në vonesën për ngritjen e kësaj aktakuze.
Isufaj:Kemi ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në rastin Banjska
“Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe analizimit të secilës prej tyre, duke u mbështetur në dyshimet e mirëbazuara, sot kemi ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në departamentin special kundër 45 të pandehurve të përfshirë. Për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave... Për ta ngritur aktin e akuzës është dashur të presim gjatë ndoshta edhe një vit. Pranimi i rezultateve të ekzaminimi të cilat janë kryer jashtë vendit ishte ndoshta shkaku kryesor i vonesës së kësaj aktakuze”, tha Isufaj.
Ndërkaq, prokurori Naim Abazi tha se janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur. Ai shtoi se gjatë këtij procesi janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe mbi 1 mijë e 200 armë dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për këtë rast.
Përveç kësaj, Abazi potencoi se janë siguruar qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.
Abazi potencoi se aktakuza përfshinë 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda gripit kriminal.
Ai theksoi se i akuzuari kryesor është edhe Milan Radojçiq, i cili sipas tij, ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Abazi: Radojçiq ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale
“Ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal i përbërë nga 45 persona të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale që lidhen me veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, vepra penale, kryerja e veprave terroriste, financim i veprave terroriste dhe shpëlarjes… Kemi realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur. Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe 1266 armë dhe pajisjeve të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje. Gjatë këtij hetimi kemi hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar, vështirësi në gjurmimin e fondeve të shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjive të përdorura të avancuara, të përfshira në aktivitete kriminale nga ana e të akuzuarve…Akuza përfshinë 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri tek financimi dhe shpëlarja e parave. I akuzuari kryesor është edhe individi me pozitë kyçe udhëheqësi i grupit Milan Radojçiq i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, potencoi Abazi.
Në konferencë për media, Abazi tha se në kuadër të hetimit janë bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar, duke përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete të tjera, për çka potencoi se janë siguruar dëshmi të rëndësishme.
Abazi:Kemi arritur t’i sigurojmë dëshmi të rëndësishme
“Në kuadër të hetimit i kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar dike përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtete të tjera të cilët kemi arritur t’i sigurojmë dëshmi të rëndësishme. Gjatë këtij procesi kemi realizuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që përfshinë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të cilat përfshijnë prona, automjete të blinduara, para të gatshme dhe llogari bankare që dyshohet se janë fituar nga aktivitete të paligjshme si dhe janë konfiskuar 1266 armë dhe pajisje të tjera”, tha Abazi.
Isufaj është pyetur edhe për deklaratat e ministrave dhe kryeministrit Kurti, të cilët kërkonin të ngritet aktakuza.
Isufaj: Prokuroria Speciale nuk merret fare me perceptimin ose me paragjykimet e askujt
“Prokuroria Speciale nuk merret fare me perceptimin ose me paragjykimet e askujt dhe ne nuk komentojmë deklaratat e askujt, jemi institucion i pavarur me kompetencë dhe përgjegjësi për ndjekjen e personave që kryejnë vepra të ndryshme penale”, tha Isufaj.
Ai shtoi se asgjë nuk mund të thonë më shumë për këtë fazë të procedurës, duke pas parasysh edhe prezumimin e pafajësisë.