’S’ka ardhë për me shkri kurrgjë”, Konjufca dhe Spiropali thonë se s’ka ngrirje raportesh mes dy vendeve

Aktuale

’S’ka ardhë për me shkri kurrgjë”, Konjufca dhe Spiropali thonë se s’ka ngrirje raportesh mes dy vendeve

Më: 11 shtator 2024 Në ora: 13:50
Foto nga takimi

Kryeparlamentarët e Kosovës dhe Shqipërisë, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, kanë mohuar se dy qeveritë e vendeve kanë “raporte të ngrira” në një pyetje që iu bë sot në Prishtinë në një konferencë të përbashkët për media.

Konjufca tha se ndonjë mospajtim i tyre nuk reflekton raportin ndërshtetëror mes dy vendeve, ndërsa mohoi se Spiropali ka ardhur për “të shkrirë” këtë raport.

“Unë nuk mendoj që asnjëherë ne kemi pasë ndonjë ngrirje mes Shqipërisë dhe Kosovës, ne si përfaqësues të institucioneve kemi qenë gjithmonë në nivelin e detyrës, mundësisht për ta transmetuar një ndjenjë që është shumë e thjeshtë dhe është mes popujve tonë. Kjo është ndjenja e dashurisë e vëllazërisë”, tha Konjufca.

Spiropali tha se s’ka çka t’i shtojë më shumë përgjigjes së homologut të saj.

“Ngrirja nuk është fjalë që mund të përdoret në një kontekst të tillë, por unë besoj që shumësia dhe bashkimi i këtyre ndërveprimeve vetëm na bën mirë. Dobësia juaj është edhe dobësia jonë, forca juaj është dhe forca jonë dhe anasjelltas. Sa më e fortë e zhvilluar dhe e mbarë të jetë Shqipëria aq më e mbarë, e sigurt dhe e zhvilluar është Kosova”, tha ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat