Më 24 shtator të këtij viti, bëhen një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë heroi, rreshteri Afrim Bunjaku. Tek pas një viti, Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në këtë sulm, ku i akuzuari kryesor është edhe udhëheqësi i grupit Millan Radoiçiq.
Rreth kësaj aktakuze, krerët e shtetit kanë dhënë komente të ndryshme duke e vlerësuar si veprim të vonshëm nga Prokuroria Speciale.
Ndërsa, ish-kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani thekson se presioni prokurorisë mund t’i bëhet vetëm nga njerëzit që nuk e kuptojnë se si funksionon sistemi, apo kanë qëllime tjera të cilat nuk i konvenojnë shtetit të Kosovës.
Ramadani, ka thënë për KosovaPress se një aktakuzë e tillë duhet të jetë profesionalisht e përgatitur.
Ramadani: Një aktakuzë në këtë rast duhet të jetë profesionalisht e përgatitur
“Ka procedurë standarde të hetimit, e cila përcaktohet edhe me ligj dhe në rast të hetimeve që kanë ndodhur për rastin e Banjskës, pra grupin paramilitarë të strukturuar, organizuar e financuar nga vet shteti i Serbisë. Unë besoj që një aktakuzë në këtë rast edhe është e nevojshme, por po ashtu edhe duhet të jetë profesionalisht e përgatitur. Besoj që çfarëdo lloj presioni publik që i është bërë i bëhet apo duhet të bëhet prokurorisë në rastet e hetimeve, mund t’i bëhet vetëm nga njerëz që nuk e kuptojnë sistemin se si funksionon apo mund të kenë qëllime të tjera të cilat nuk i konvenojnë shtetit të Kosovës”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, Prokuroria nuk e ka rolin e Policisë së Kosovës e as institucioneve tjera hetimore.
Ramadani ka shtuar se aktakuza është ngritur, por nuk përfundon vetëm me aktakuzën.
Ramadani: Prokuroria nuk e bënë as rolin e policisë as rolin e institucioneve tjera hetimore
“Është me rëndësi që Prokuroria të arrijë nivelin sa më profesional të aktakuzës, për të cilën institucionet tjera duhet të ndihmojnë, sepse prokuroria nuk e bënë as rolin e policisë as rolin e institucioneve tjera hetimore, e udhëheq, koordinon dhe ka përgjegjësinë për ngritjen e aktakuzës, por nuk ka përfunduar me aktakuzën”, ka shtuar ai.
Ramadani ka theksuar se edhe prokuroria ka mundur të kthejë “lojën” e t’i thotë Qeverisë dhe Policisë së Kosovës që ta sjellin Radoiçiqin dhe t’i akuzoj për dështim.
Radamani: Prokuroria mund ta bëjë të njëjtën lojë, t’i thotë Policisë dhe Qeverisë...
"Nëse i tërë ky presion mbi Prokurorinë ka qenë ngritje e aktakuzës, pse nuk po ngrihet aktakuza, dhe prokuroria ngritë aktakuzë kundër Radoiçiq, për të cilin ka pasur edhe më herët aktakuzë, atëherë a mund ta bëjë të njëjtën lojë publike, Prokuroria t’i thotë Policisë dhe Qeverisë sillmani Radojçiqin, është dështimi juaj pse nuk po e sillni. Ka proces i cili duhet të ndiqej dhe si proces duhet të jetë i tërë”, ka theksuar Ramdani.
Ndërkaq, në një konferencë për media sot, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj theksoi se për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe financimit të terrorizmit e shpëlarjes së parave. Ai shtoi se ekzaminimet që janë bërë jashtë vendit, kanë ndikuar në vonesën për ngritjen e kësaj aktakuze.
Komente ka pasur edhe nga ana e Kryeparlamentarit, Glauk Konjufca e Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se është lajm i mirë, teksa shtoi se "më mirë vonë se kurrë".
"Ky po që është një lajm i mirë dhe një lajm për të cilën nuk dua të jap kritikat. Kësaj i shkon një frazë që 'më mirë vonë se kurrë' dhe kështu ka ndodhur", tha Konjufca.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës për sulmin në Banjskë të Zveçanit, për çka tha se në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimet për mos ngritjen e kësaj aktakuze.
“Ne në vazhdimësi kemi shprehur shqetësimet tona sepse nuk po ngritët aktakuza për krye-terroristin, Milan Radojçiq në 2021 ju e mbani mend që urdhër-arresti ishte tërhequr për atë ende nuk kemi përgjigje se pse ka ndodhur tërheqja e urdhër-arrestit. Kemi shprehur shqetësimet tona sepse dihet qëllimet që ka pasur Serbia, dihet që ai grup terrorist i financuar nga Serbia dhe është trajnuar atje në bazat e tyre të trajnimit prandaj edhe kemi kërkuar një hetim ndërkombëtar për këto baza të trajnimit dhe ne mirëpresim ngritjen e aktakuzave për kryeterroristin Milan Radojçiq dhe terroristët tjerë”, u shpreh ajo.