Këshilli Botëror i Kishave do status special për Kishën Ortodokse

Aktuale

Këshilli Botëror i Kishave do status special për Kishën Ortodokse

Më: 11 shtator 2024 Në ora: 21:10
Kisha

Në dy vitet e fundit pranuan ankesa me bollëk për atë që e cilësojnë “situatë të paqëndrueshme në Kosovë e Metohi”.

Sivjet, nga Këshilli Botëror i Kishave (WCC) vendosën që gjendjen në Republikën e Kosovës, që i referohen si “shteti serb”, ta shohin nga afër, duke qëndruar nëpër kishat dhe manastiret ortodokse midis 4 e 5 shtatorit.

Por, gjatë ndalesës në Manastirin e Deçanit, igumeni Sava Janjiq u është ankuar atyre për çështjen madhore të pronës, e zgjidhur qysh në mars të këtij viti, kur kishës iu regjistruan 24 hektarë.

Këshilli Botëror i Kishave, tha se Janjiq “bëri të ditur se pavarësisht mbrojtjes ligjore, institucionet e Kosovës shpesh ia minojnë Kishës Ortodokse Serbe të drejtat pronësore dhe mbrojtjen e vendeve të shenjta”.

“Igumeni Sava shprehi shqetësimin për revizionizmin historik që synon zhdukjen e identitetit ortodoks serb nga këto hapësira”, thanë nga WCC.

Shqetësime të ngjashme që dëgjoi edhe në Manastirin e Graçanicës, i dhanë guxim sekretarit të përgjithshëm të Këshillit Botëror të Kishave, Jerry Pillay të mbështesë propozimin e statusit special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

“Pillay shprehu shqetësimet e mëdha rreth ndalesës së patriarkut serb për të hyrë në Kosovë, duke e privuar atë nga e drejta për t’u ofruar shërbesat udhëheqësve dhe anëtarëve të Kishës së tij. Pillay poashtu përkrahu iniciativën për t’i siguruar status special dhe të mbikëqyrur për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë”, deklaruan më tej nga WCC.

Klan Kosova u dërgoi pyetje edhe Këshillit të Kishave edhe Qeverisë së Republikës për të mësuar nëse ka pasur takim mes tyre për këto ide, dhe mbi çfarë baze ky Këshill i qaset Kosovës kësisoj.

Sekretari Jerry Pillay i tha televizionit se fjalën “Metohi” e përdorë ngaqë ka vlerë historike për Kishën Ortodokse Serbe e sa i përket njohjes së Kosovës si shtet, pohoi se nuk është çështje që i takon Këshillit.

Pillay qëndroi për 3 ditë tjera edhe në Serbi. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat