Molliqaj: Problemi i veriut është politik - sovranitetin e ka marrë KFOR-i, partneritetin e ka prish Kurti

Aktuale

Molliqaj: Problemi i veriut është politik - sovranitetin e ka marrë KFOR-i, partneritetin e ka prish Kurti

Më: 12 shtator 2024 Në ora: 08:15
Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se problemi në veri të vendit është problem politik e assesi rend dhe ligj.

Kreu i PSD-së ka thënë se në atë pjesë të Kosovës nuk ka sovranitet dhe as integrim të serbëve. Sovranitetin sipas tij tashmë e ka KFOR-i e cila u vërtetua sipas tij me mos hapjen e Urës së Ibrit.

“Për PSD- në ka qenë gjithmonë e qartë, tash e gati dy vite e gjysmë kur kanë fillu aksionet e para në veri të gjitha një nga një i kemi kundërshtuar për shkak se kemi besuar dhe me të drejtë ka dal ashtu që problemi i veriut është një problem politik, nuk është problëm i rendit dhe ligjit. Sigurisht që rendi dhe ligji ka qenë pjesë e problemit por problemi është politik. Si rezultat i veprimeve të një pas njëshme të Qeverisë së Kosovës në veri, atje kemi kontroll të shtetit të Kosovës, por nuk kemi integrim. Përkundrazi në pikën më të largët ndonjëherë serbët e Kosovës janë afër institucioneve të Kosovës. S’kemi kryetar të Komunave, s’kemi gjyqtarë, s’kemi polic, s’kemi shërbim shëndetësor as asgjë, i cili është i integruar në sistemin e Kosovës. Përkundrazi të gjithë ata që kanë qenë sot nuk janë”.

“Nuk kemi sovranitet në veriun e Kosovës. Kushdo që thotë kështu është duke e mashtru opinionin publik. Sovranitetin në Veriun e Kosovës tashmë e ka KFOR-i dhe kjo është vërtetuar me mos hapjen e Urës, përkatësisht moslejimin e hapjes së Urës nga KFOR-i. Pra, një përgjegjësi e cila nuk do duhej të ishte e KFOR-it, sepse KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, e ka ndalu fizikisht Policinë e Kosovës për ta hapur atje, duke treguar që për Bashkësinë Ndërkombëtare Veriu i Kosovës do tretman tjetër politik. Dhe krejt kjo, pra, kontrolli, sovraniteti dhe autonomia është pjesa e tretë”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj ka komentuar situatën në veri të Kosovës, duke thënë se jemi drejt izolimit, pa sovranitet dhe partneritet. Sipas tij, këtë e ka prish kryeministri Albin Kurti.

“Sovranitetin e ka marrë KFOR-i, ndërsa partneritetin e ka prish Kurti. Mos harroni, ne e kemi Qeverinë e Kosovës që është e sanksionuar, përkatësisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër e kemi deklarimin e fundit të ambasadorit dhe Ambasadës Amerikane që i ndërpret bashkëpunimet me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës dhe vartësit e saj. Përkatësisht një institucion i cili është ndihmuar fuqishëm në ndërtimin e saj nga Perëndimi, në vecanti nga ShBA, është quajtur i instrumentalizuar. PSD ka qenë e para, jo për të marrë merita por për të paralajmëruar që dërgimi i Policisë së Kosovës në Veri, dhe nganjëherë instrumentalizimi ekskluzivisht ndaj PSD, siç ishte rasti i arrestimit tim tek televizioni T7 që pastaj me vendim të Gjykate u tregu që ishte paligjshëm arrestimi”, u shpreh Molliqaj, teksa kritika ka edhe për “instrumentalizim” të Policisë së Kosovës nga pushteti. Këtë sipas tij e thonë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se Policia e Kosovës është e instrumentalizuar nga pushteti. Vetëm pushtetet jodemokratike instrumentalizojnë institucionet e sigurisë dhe të tjera. Pra, nuk është qëndrim i joni, nuk është qëndrim i yti, nuk është qëndrim i kritikëve, as i Serbisë, është qëndrim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka ardhë puna që nuk bashkëpunojnë, ndoshta një ditë do të jenë në lista të zeza”, deklaroi Molliqaj për Eo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat