Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vazhduar me kritika ndaj qeverisjes së Albin Kurtit, në seancën e parë të sesionit vjeshtor të Kuvendit.
Ai thotë se me qeverisjen e tyre, u godit shtetësia e Kosovës.
Siç thotë Abdixhiku, kemi marrë “goditje fatale për republikën”, duke përmendur vendimin e BE-së për njohjen e pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës.
“Po e nisim seancën e parë të sesionit vjeshtor, fatmirësisht të fundit të kësaj legjislature, fatkeqësisht në gjendje të pandryshuar si katër vite më parë. Për më tepër në gjendje të sfidave të paprecedenta për vendin tonë. Në pabesinë më të madhe historike, kemi zënë vendin e ankuesve ndaj aleatëve tonë, i sulmojmë ata, i godasim ata e në fund asnjë rezultat dhe njollën e një shteti të vetmuar. Për katër vet skemi asnjë njohje, asnjë anëtarësim, jemi nën masa e sanksione. Katër vite janë të mëdha për të bërë ndryshim të madh mbrapsht. Veçse kemi kaluar përtej pikës së kthimit. Shtetësia jonë u godit gjatë kësaj vere nga vendimi i BE-së i njohjes së pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës. Gjendje fatale për republikën”.
Tutje ai thotë se jemi në prag të përjashtimit nga Procesi i Berlinit, për të humbur përfundimisht barabartësinë e trajtimit mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Si mund të mburremi me një përfundim të tillë. Jemi në prag të përjashtimit nga Procesi i Berlinit, për të humbur përfundimisht barabartësinë e trajtimit mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këto janë pasojat serioze të kësaj politike populliste”, thotë ai.
Kreu i LDK-së, tutje përmendi edhe çështjen e Urës së Ibrit, duke thënë se ka një urë tjetër në Badovc, me të cilën qeveria nuk merret.
“Askush nuk ishte kundër, të gjithë ishim për. Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n, për ta thënë shkurt e shqip, sepse ka një vijë që nuk e kalojmë dot. NATO dhe Kosova janë bashkë. Asnjëherë përballë. Ky është orientimi popullor i Kosvoës. Përveç urës së Ibrit ka një urë në Badovc, aty nuk ka as NATO as media, aty s’ka asnjë pengesë që kjo urë të përfundojë tash e sa vjet. Mijëra vetura kapërcëjne rrugën që nuk ka urë, por qeverinë nuk e ke aty as duke lyer e as duke testuar e ndërtuar atë. Kjo është zgjedhja jonë sot”, u shpreh Abdixhiku.