​Pesë mijë familje pritet të mbështeten për blerje të pajisjeve efiçiente për ngrohje

Aktuale

​Pesë mijë familje pritet të mbështeten për blerje të pajisjeve efiçiente për ngrohje

Më: 12 shtator 2024 Në ora: 11:45
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Për herë të 13-të Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrje publike “Mbështetje konsumatorëve familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje”, përmes të cilës pritet të përfitojnë pesë mijë familje.

Kjo thirrje po ndodh në kuadër të pakos emergjente për energji e mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se me këtë thirrje po synojnë t’u dalin në ndihmë edhe 5 mijë familjeve të tjera, ndonëse siç u shpreh deri tani për efiçiencë janë përkrahur 40 mijë familje me një shifër prej 40 milionë eurosh.

Albin Kurti theksoi se tashmë numri i familjeve përfituese është katërfishuar dhe kursimet nga kjo masë po rrisin mundësitë për efiçiencë në sektorë të tjerë.

Kurti: Numri i familjeve përfituese është katërfishuar

“Kjo verë që e kemi lënë pas ka qenë më e freskët, dimri që kemi përpara do të jetë më i ngrohtë. Përditshmëria e tyre është më e lehtë dhe më e rehatshme, në të njëjtën kohw faturat e energjisë elektrike më të ulëta mesatarisht 19%. Një gjë të tillë po synojmë ta ofrojmë edhe për afro 5 mijë familje të tjera nëpërmjet kësaj thirrje që po e hapim sot…Rritja e efiçiencës qon peshë të madhe për kursimin e buxhetit të shtetit. Me kursimin që kanë bërë 10 mijë familje që kanë përfituar nga thirrja e parë e subvencionit në vendin tonë gjatë sezonit së dimrit 2022-2023 janë shpenzuar 14 gigavatë orë e si rrjedhojë i kemi kursyer 1.8 milion euro të buxhetit të shtetit në import të energjisë. Numri i familjeve përfituese në ndërkohë është katërfishuar e kursimi vazhdon pasi këto janë investime që mbeten që e rrisin rehatin dhe i ulin shpenzimet vit pas viti e kursimet na mundësojnë që të rrisim edhe më tej investimet në efiçientë në çdo sektorë tjetër”, tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se gjatë mandatit të saj janë bërë investime rekorde në efiçiencë të energjisë.

Ajo theksoi se efekti i këtyre masave po jep rezultat si në faturat e qytetarëve ashtu edhe tek sistemi elektro-energjetik.

Rizvanolli u shpreh se konsumi mestar për një familje është duke u ulur vit pas viti si rezultat i këtyre ndërhyrjeve.

Rizvanolli: Në mandatin tonë janë bërë investime rekorde në efiçiencë të energjisë

“Vetëm për këto tri vite e gjysmë të mandatit tonë janë bërë shumëfish më shumë investime në efiçiencë të energjisë, historikisht në Kosovë. Vetëm gjatë këtij mandate janë zbatuar masat e efiçiencës në 112 ndërtesa publike, janë përkrahur 35 mijë familje për pajisje elektro-shtëpiake dhe pajisje ngrohëse deri me tani. Ndërsa, edhe 5 mijë të tjera nga Fondi Për Efiçiencë dhe Izolim dhe masa të tjera. Masa këto që synojmë t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen duke qenë se janë pritur shumë mirë nga qytetarët dhe efektet po i shohim tek qytetarët por edhe nis sistemin tonë elektro-energjetik ku vërejmë se konsumi mesatar për familje është duke u ulur vit pas viti si rezultat i këtyre ndërhyrjeve të tjera në sektorin e energjisë se e kemi pasur dhe kjo është një ndër gjërat më të mira që i ka ndodhur sistemit tonë elektro-energjetik në fakt historikisht”, theksoi ajo.

Zëvendës-shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova theksoi se Bashkimi Evropian e ka të rëndësishme mbështetjen e Kosovës në rrugën e efiçiencës energjetike.

Teksa iu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë këtë thirrje të radhës, Palatova tha se kjo është rruga më e qëndrueshme për energjinë.

Palatova: Qytetarëve iu bëj thirrje ta shfrytëzoni këtë paketë

“Në të gjithë Evropën dhe duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, ne përgatitëm këtë super paketë energjetike për Kosovën, ishin 75 milionë euro të cilat janë ndarë dhe shpërndahen në mënyrë progresive në mbështetje të familjeve, të qytetarëve, të NVM-ve që duhet të përshtatin infrastrukturën e tyre energjetike në mënyrë që të ta ketë atë më të qëndrueshme, në mënyrë që të ketë efikasitet më të lartë energjetik, kështu që është një kënaqësi e madhe që jemi këtu përsëri në këtë moment historik dhe është një inkurajim i madh për qytetarët që ta përdorin këtë paketë dhe ta përdorin këtë mbështetje për të sjellë një rrugë më të qëndrueshme kur bëhet fjalë për energjinë”, tha ajo.

Aplikimi për subvencionim për këtë thirrje të radhës bëhet përmes platformës e-Kosova. Afati i fundit për aplikim është deri me datën 11 tetor 2024.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat