Osmani flet për kërcënimet e Vuçiqit: Do të përballet me institucionet e Kosovës

Aktuale

Osmani flet për kërcënimet e Vuçiqit: Do të përballet me institucionet e Kosovës

Më: 12 shtator 2024 Në ora: 23:33 Përditësuar në ora: 00:25 më 13.09.2024
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani

Osmani e ashpër: Vuçiqi kërcënon në stilin e Millosheviqit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se për të gjitha kërcënimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq karshi Kosovës, i njofton liderët nga Evropa e Shtetet e Bashkuara.

Osmani tha se e kupton që motivi prapa përkrahjes së Serbisë është motivi për ta afruar këtë shtet me BE-në, e që sipas saj, s’po del të ketë sukses.

“Unë e kuptoj se motivi prapa përkrahjes së Serbisë është motiv për ta afruar atë me BE-në, që do të ishte në interes të të gjithë rajonit tonë, por nuk po del të ketë sukses, pasi Vuciqi po vazhdon me kërcënimet e tij të stilit Millosheviqian dhe planet e tij të stilit të Putinit.

“Të gjitha këto që i deklaron në baza ditore, unë komunikojë me liderë nga Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera. Të gjitha këto shtete demokratike janë të interesuara që ta ndihmojnë Kosovën që ta mbrojmë sovranitetin tonë, t’i mbrojmë arritjet e përbashkëta”, tha Osmani në Edicionin Special në Klan Kosova.

Tutje, e para e shtetit tha se është me rëndësi që të bashkohen forcat në mënyrë që të parandalohet çdo agjendë destabilizuese që e shtynë përpara Vuçiqi.

Presidentja Osmani: Kosova e para në rajon për demokraci e sundim të ligjit, por mos të ndalemi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive për “Edicionin Special”, pas marrjes së çmimit “M100 Media Aëard” është shprehur se kjo tregon se bota vërtetë vlerëson lidershipin e bazuar në vlera.

Osmani u shpreh se ky çmim është inkurajim për të, siç tha ajo për të vazhduar të përfaqësojë popullin e Kosovës, duke u bazuar në vlerat e integritetit.

“Në këtë koment kur i gjithë kontinenti ynë po përballet me shumë sfida, është shumë me rëndësi që të qëndrojmë të bashkuar mbi vlerat të cilat e kanë karakterizuar popullin tonë për dekada, madje edhe me shekuj, shumë para se të ekzistonte Bashkimi Evropian dhe mbi këto vlera, edhe të ndërtojmë hapat tonë përpara”

“Kjo tregon se bota vërtetë vlerëson lidershipin e bazuar në vlera, bota vërtetë vlerëson lidershipin e bazuar në karakteristikat që qëndrojnë në vet themelet edhe të Bashkimit Evropian edhe të shteteve demokratike të cilat neve na kanë ardhur në ndihmë në momentet më të rënda dhe qëndrojnë pranë nesh edhe sot përderisa bëjmë hapa përpara dhe në të njëjtën kohë natyrisht është  një inkurajim për mua që të vazhdoj të përfaqësojë popullin e Kosovës, duke u bazuar në vlerat e integritetit, gjithnjë duke marrë për bazë vetëm interesin e tyre”, tha ajo.

Osmani u shpreh se Kosova është e para në rajon për demokraci e sundim të ligjit, por u shpreh se nuk duhet ndalur, por duhet vazhduar me shumë punë.

“Kosova vërtetë është shembull i këtyre vlerave të cilat janë ndërtuar me shumë mund, mirëpo sot kanë një bazament shumë të fortë dhe është me rëndësi që përderisa e dijmë të gjithë që Kosova është e para në rajon edhe sa i përket demokracisë, edhe sa i përketë sundimit të ligjit, që ne mos të ndalemi, mos të vetmjaftohemi, por të vazhdojmë edhe me shumë më shumë punë, në hapa përpara në mënyrë që ta zëmë vendin tonë të merituar brenda familjes euroatlantike”, u shpreh tutje presidentja Osmani.

Osmani flet për kërcënimet e Vuçiqit: Do të përballet me institucionet e Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive për Edicionin Special ka folur për kërcënimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se nesër mund ta shpallë Kosovën një territor të pushtuar.

Osmani tha se Vuçiqi mund të shpallë çfarë të dojë, por tha se realiteti i përhershëm është se Kosova është dhe do të mbetet përherë shtet i pavarur, sovran, demokratik e që do fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon.

“Shpresoj që këto fjalë të Vuçiqit, që tregojnë mendësinë e tij të vërtetë, që është trashëgimi e Millosheviqit, po dëgjohen nga bota mbarë, në veçanti nga disa që po shpresojnë se ai derisa e mban lëkurën e qengjit, nuk është ujku përbrenda”.

“Në fakt, është i njëjti njëri, që ka qenë ministër i Propagandës së Millosheviqit, që ka menduar vetëm si t’i sulmojë e t’i shkatërrojë të tjerët. Kjo është logjika e vetme që mbizotëron në politikën e Serbisë për momentin dhe shpresoj që sa më parë që ta shohim dhe ta pranojmë këtë realitet, edhe shumë nga miqtë tanë në Evropë, aq më parë dhe aq më shumë do të kontribuojnë për paqen afatgjate në rajonin tonë”, tha Osmani.

Tutje, Osmani e paralajmëroi presidentin serb se çka do që mund të synojë, do të përballet me vendosmërinë e institucioneve të Kosovës.

“Fytyra e vërtetë e Vuçiqit është ajo që i kërcënon shtetet fqinje me okupim. Nuk ka Vuçiq tjetër, nuk ka Vuçiq pro-paqe, por ka Vuçiq që shkakton destabilitet, që do ta kthej rajonin prapa, por assesi nuk do ta lejojmë”.

“Çka do që mund të synojë, do të përballet me vendosmërinë e institucioneve të Kosovës sepse nuk ka kthim mbrapa, nuk lejojmë kthim prapa”, tha ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat