Lugina kundërshton vendimin e Serbisë për kthim të shërbimit ushtarak

Aktuale

Lugina kundërshton vendimin e Serbisë për kthim të shërbimit ushtarak

Më: 15 shtator 2024 Në ora: 22:04
Foto ilustrim

Udhëheqës të komunave në Luginë të Preshevës e kanë kritikuar vendimin e presidentit të Serbisë për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ata kanë thënë se do t’u bëjnë thirrje aleatëve ndërkombëtarë që një vendim i tillë të mos implementohet te shqiptarët, pasi është vlerësuar se do të ndikojë në shpërnguljen e tyre

Aprovimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, është kritikuar nga udhëheqës të komunave në Luginën e Preshevës.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka cilësuar rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon. Ajo po ashtu theksoi se kjo do të ndikojë në shpërnguljen masive të shqiptarëve.

“Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largohen masivisht, për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit. Sot, historia rrezikon të përsëritet! Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, ka thënë Sinani.

Ajo po ashtu ka thënë se Serbia nuk është shteti që kërcënohet nga fqinjët e vet, por se kërcënimi i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit vjen nga Serbia, shkruan Koha.

“Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë. Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiqit vazhdon të tregojë se nuk ka asnjë vullnet për normalizim dhe stabilitet. Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për progres, jo për konflikte të reja”, ka shkruar ajo.

Vendimi pritet të aprovohet edhe nga Qeveria e Serbisë, që më 1 janar të vitit 2011 e hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke u koncentruar në forcë profesionale.

Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë vendimin. Dua të besoj se të gjithë e kuptoni se sa shumë na duhet një ushtri e fortë, sa më shumë do të na duhet të blejmë armë. Sepse nuk është dëshira jonë të sulmojmë dikë. As nuk do ta bëjmë. Por, dëshira jonë është që të pengojmë të gjithë ata që na kërcënojnë çdo ditë”, ka thënë Vuçiq në ceremoninë e gradimit të 177 kadetëve të Akademisë Ushtarake, të shtunën.

Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Arbër Pajaziti, ka thënë se do të kërkojnë nga aleatët ndërkombëtarë të bëjnë presion mbi Qeverinë e Serbisë që shqiptarët të mos përfshihen në rekrutim.

Në këtë fazë nuk ka vend që të shqetësohemi, për shkak se nuk e dimë se si do të implementohet. Shqiptarët janë duke u shpërngulur qe një kohë dhe normalisht mund te këtë ndikim negativ në këtë aspekt, mirëpo prapë po them që nuk ka vend për panik, do të kërkojmë edhe nga Qeveria edhe nga faktori ndërkombëtar që ky vendim të mos zbatohet nga pakicat shqiptare që janë në Serbi”, ka thënë Pajaziti.

Ai është i bindur se shqiptarët do ta kundërshtojnë nëse vendimi aprovohet nga Qeveria e Serbisë.

Shqiptarët gjithmonë e kanë bojkotuar këtë dhe nuk di nëse është rekrutuar ndonjë shqiptar në këtë ushtri dhe prapë mendoj se ashtu do të bëjnë dhe nuk do të ketë shqiptarë, të cilët do të rekrutohen dhe do të shkojnë për të kryer shërbimin ushtarak në Serbi për shumë arsye, sepse te shqiptarët, ende janë të freskëta plagët”, ka shtuar ai.

Që nga nisja e luftës së Rusisë në Ukrainë, disa vende të Ballkanit Perëndimor e rikthyen e disa po e shqyrtojnë kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Ndërsa shteti i Kosovës ka vendosur të mos e bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, ani se ka qenë zotim i kryeministrit Albin Kurti, para ardhjes në pushtet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat