Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në takim rreshter majorin e Komandës së Gardës Kombëtare të Ajovës, Matthew Strasser dhe delegacionin e tij.
Sipas njoftimit nga ana e FSK-së, në këtë takim u fol për mbështetjen e vazhdueshme të GKA-së lidhur me zhvillimin e trupës së nënoficerëve që mbetet një nga synimet kryesore të KOMFSK-së.
Jashari falënderoi Strasserin për rolin kyç të nënoficerëve të Gardës Kombëtare të Ajovës që kanë dhënë në arsimimin, trajnimin dhe zhvillimin trupës së nënoficerëve të FSK-së.
“RRM Strasser falënderoi GLT Jasharin për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe për vizionin e tij në zhvillimin e kanalit mbështetës të nënoficerëve të FSK-së. Takimi me delegacionin e nënoficerëve nga GKA është dëshmi e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm që FSK e ka me GKA në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror me Ajovën”, thuhet në njoftim.