Prokurorët dhe gjyqtarët serbë, së bashku edhe me stafin mbështetës, mund të rikthehen në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial të Kosovës. Kjo për faktin së Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor nuk i kanë pranuar dorëheqjet e tyre me arsyetimin se ato nuk ishin të vullnetshme por të imponuara.
Ndër kërkesa të presidentit serb Aleksandër Vuçiç ishte edhe rikthimi i tyre në punë. Për njohësit e drejtësisë, kjo kërkesë është dëshpëruese pasi ata e kanë pasur derën hapur, mjafton që të dorëhequrit të kenë vullnet për kthim.
“Kërkesa e Vuçiçit nuk ka pothuajse asnjë vlerë, varet nga vetë gjyqtarët dhe prokurorë ta duan të kthehen dhe Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial sigurisht që me vetë faktin që nuk i kanë miratuar dorëheqjet si të tilla atëherë ka lënë mundësinë e hapur që të njëjtit të kthehen”, tha për A2 CNN, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Fakti që dorëheqjet nuk janë aprovuar vlerësoj se duhet të dërgohet nga një shkresë ere që konstatohet, përkatësisht kërkohet që të revokohen, përkatësisht të mosvlerësohen ato kërkesa për dorëheqje dhe të njëjtit të kthehen punës ku kanë qenë”, tha avokati Ardian Bajraktari.
Ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët kanë pasur probleme me ligjin e të cilët kanë marr pjesë në tubimet politike të organizuara nga Lista Serbe janë marr masa deri në shkarkim.
Për prokurorët e gjyqtarët serbe që mendojnë të kthehen në punë iu kërkohet që të mos bëjnë lojën e Vuçiçit.
“Të gjithë ata të cilët do të kthehen në sistemin gjyqësor dhe sistemin prokurorial do të duhej që të vazhdojnë që të jenë besnikë kushtetutës, ligjeve të Republikës së Kosovës dhe të mos bëjmë gabime apo shkeljet pastaj mund t’i vënë ata qoftë se në procedura disiplinore apo masa të tjera që mund të shkojnë deri tek shkarkimi i tyre”, theksoi Ehat Miftaraj.
Në nëntor të vitit 2022, nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhanë dorëheqje dhjetë prokurorë e 22 staf mbështetës, ndërsa nga Gjykata Themelore e Mitrovicës u dorëhoqën rreth 150 serbë, gjyqtarë dhe staf mbështetës.
“Pjesa veriore me theks të veçantë ka nevojë për staf gjyqësor, staf prokurorial ku do ti kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë për çka janë të mandatuar me ligj dhe kushtetutë”, nënvizoi Ardian Bajraktari.
Dorëheqjet e serbëve erdhën pas vendimit të Listës Serbe që të gjithë serbët duhet të largohen nga institucionet e Republikës së Kosovës pasi Qeveria po insistonte në ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale serbe.