Besnik Bislimi tregon pse dështoi takimi trepalësh

Aktuale

Besnik Bislimi tregon pse dështoi takimi trepalësh

Më: 17 shtator 2024 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 16:02 më 17.09.2024
Pamje nga një takim i mëhershëm i kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bislimi: Petkoviq kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën

Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës në dialogun Kosovë, ka thënë se takimi trepalësh me Petar Petkoviqin, kryenegociatorin serb, dhe Miroslav Lajçak, emisarin e BE-së, dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.

“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi

Përfundon rundi i ri i bisedimeve në Bruksel pa takim trepalësh

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk kanë zhvilluar takim trepalësh me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën në Bruksel.

Bislimi u takua dy herë me Lajçakun dhe tha se takimi trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

Për herë të fundit, ata janë takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.

Bislimi e ka akuzuar atëkohë palën serbe se dëshiron vetëm zbatim të pjesshëm të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Petkoviq ka thënë se pala kosovare nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim.

Sipas burimeve në BE, në takimet e sotme pritet të diskutohen hapat për zbatimin e saj.

Këtyre takimeve u kanë paraprirë udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe në Beograd.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Përveçse në nivel kryenegociatorësh, bisedimet zhvillohen edhe në nivel politik.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh në shtator të vitit të kaluar dhe të dy kanë akuzuar njëri-tjetrin për qasje jokonstruktive.

BE-ja, në anën tjetër, përsërit se dialogu është e vetmja mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve.

Ajo e ka kushtëzuar integrimin evropian të të dyja vendeve me përparimin në dialog./REL

Dialogu Kosovë-Serbi, sot zhvillohet takimi i ri në Bruksel

Në Bruksel sot pritet të mbahet takimi i ri në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut Kosoë-Serbi.

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit. Ai do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut.

Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia do e fillojnë ditën me takimet e ndara ma emisarin evropian për dialog Miroslav Lajçak, i cili më pas do mëtoj organizimin e të ashtuquajturit takim trilateral.

Ndryshe Bashkimi Evropian ka mirëpritur thirrjen e bërë nga ana e presidentit serb Aleksandër Vuçiq që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe re integrimin e tyre në të gjitha institucionet e vendit.

Peter Stano, ka nënvizuar se Brukseli vazhdimisht ka ftuar Beogradin që të inkurajoj këtë gjë, ndërsa Prishtinën që të mundësoj re integrimin e serbëve të Kosovës.

BE gjithashtu përsëriti thirrjen e vazhdueshme për de-përshkallëzim si dhe për implementim të plotë dhe të menjëhershëm të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu nga të dyja palët.

Zëdhënësi i BE-së nënvizoi se marrëveshjet e dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, parashikojnë hapat dhe procedurat konkrete, gjithnjë duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat