I akuzuari jashtë vendit, dështon seanca në rastin ku i njëjti në cilësinë e zyrtarit të Postës akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar

Aktuale

I akuzuari jashtë vendit, dështon seanca në rastin ku i njëjti në cilësinë e zyrtarit të Postës akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar

Më: 17 shtator 2024 Në ora: 11:43
Foto ilustrim

I akuzuari jashtë vendit, dështon seanca në rastin ku i njëjti në cilësinë e zyrtarit të Postës akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar

Për shkak se i akuzuari Argjent Hoxha gjendet jashtë vendit, ka dështuar seanca e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku Hoxha akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia bëri të ditur se Stacioni i Policisë në Gjakovë e ka njoftuar gjykatën që i akuzuari gjendet jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, nuk ishin të pranishëm të dëmtuarit Egzon Syla, Qendrim Kovaqi, Shkelzen Bushati, Gëzim Gjoshi dhe Prek Kola. Ndërsa, prezent ishin Dukagjin Nikaj dhe Qaush Jakupaj.

Po ashtu, e pranishme ishin edhe prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni dhe mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Ylli Bokshi.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, seanca e sotme është shtyrë kurse ajo e radhës u caktua për në tetor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i pandehuri Argjent Hoxha nga muaji nëntor i vitit 2022 e deri në muajin mars të 2023-ës, në cilësinë e sportelistit në zyrën postare në regjionin e Gjakovës, ka falsifikuar nënshkrimin e klientëve, në atë mënyrë që ka nënshkruar në librin e dorëzimit të dërgesave të regjistruara të muajit shkurt dhe mars 2023 në emër të klientëve se kinse të njëjtit i kanë pranuar dërgesat postare, e që dërgesat postare të Postës së Kosovës nuk i ka shpërndarë fare në destinacionin e caktuar tek konsumatori.

Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit- përmbaruesi privat Gëzim Gjoshi si dhe avokatët Prek Kola dhe Qaush Jakupaj, si pasojë e mospranimit të dërgesave postare janë dëmtuar në aspektin e procedurave ligjore në afat kohor, ndërsa afaristët Dukagjin Nikaj- pronar i mishtores ‘’Doni’’, Egzon Syla- pronar i ‘’Egzon Syla BI’’, janë dëmtuar në shpenzimet e procedurave përmbarimore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se dëm kanë pësuar edhe qytetarët Nafi Baraku, Lekë Baraku, Qëndrim Kovaqi, Leonita Hasi, Nehat Qava, Sofije Tafa, Astrit Hoti dhe Floreta Hadri, Smajl Cenaj, Labinot Lipoveci, Sebastian Krasniqi, të cilët nuk kanë pranuar dërgesa postare nga i pandehuri, si dhe dëm i ka shkaktuar edhe Kuvendit Komunal në Gjakovë, Gjykatës Themelore në Gjakovë, Spitalit Privat MIM në Gjakovë, Ndërmarrjes Publike Posta e Kosovës SH.A në Prishtinë.

Për çka, me këto veprime ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 427, paragrafi 1 i Kodit Penal.

I akuzuari jashtë vendit, dështon seanca në rastin ku i njëjti në cilësinë e zyrtarit të Postës akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat