Mbrëmë në veri të vendit është dëmtuar një shtëpi e pabanuar, e cila është investim i Qeverisë së Kosovës.
Rasti ndodhi në lagjen “Kroi i Vitakut”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani dha detaje duke thënë se në këtë rast kanë punë për të bërë, pasi do të nisin një hetim të mirëfilltë.
Elshani: Policia nuk ka të arrestuar dhe as të dyshimtë
“Pas mesnatës sot ka ndodh një zjarrvënie në një shtëpi të pabanuar e cila është rindërtuar te Kroi i Vitakut. Policia e Kosovës gjatë patrullimit ka parë tym dhe mandej është afruar e ka parë që ka zjarr në derën e hyrjes së kësaj shtëpie, me aparatin për shuarjen e zjarrit e ka shuar zjarrin, nuk ka persona të lënduar sepse nuk ka pasur as njerëz brenda dhe nuk ka qen e mobiluar. Dëmet janë tek ajo derë dhe tymi që është shkaktuar aty. Policia nuk ka të arrestuar dhe as të dyshimtë për momentin por jemi duke punuar në ndriçimin e këtij rasti. Domethënë në përgjithësi situata e sigurisë në veri të vendit është e mirë dhe këto raste më shumë janë të izoluara”, tha ai.
Kurse, Bashkim Rafuna, njëri nga banoret në këtë lagje tregoi edhe qëllimin që kanë pasur siç tha ai bandat serbe në këtë rast.
Rafuna: Bandat e caktuara serbe e kanë bërë këtë akt për frikësimin e popullatës
“Bandat e caktuara serbe me kanë bërë këtë akt për frikësimin e popullatës dhe njerëzve që do të kthehen, sepse ne veç i kemi ndërtuar shtëpinë por njerëzve tjerë të cilët ndoshta nga sot do t’ia nisin t’i ndërtojnë edhe shtëpitë tjera”, tha ai.
Për rastin fillimisht njoftoi ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi , i cili tha se rreth orës 00:30 gjatë mesnatës një patrollë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në Kodrën e Vitakut.
Sipas tij, zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar.
“Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar veç dëmeve materiale. Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja”, tha Krasniqi.
Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas tij, e dënon fuqishëm këtë akt dhe sipas tij as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre.
“Kërcënimet, shantazhet, pamfletat terroriste, nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qëndrueshëm. Ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiqi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, lidhur me rastin është pyetur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ata që bënë këtë krim do të ndiqen nga organet vendore.
"Ka deklaruar tashmë Policia e Kosovës edhe ne do ta bëjmë sanimin e këtij dënimi. Ndërkaq, ata të cilët e bënë këtë krim me këtë koktej molotovi pa dyshim që do të ndiqen nga organet e Republikës së Kosovës", tha ai.