​Lansohet digjitalizimi i jurisprudencës, Kurti: Nga viti 2021 deri më sot kanë aplikuar mbi 3 mijë e 200 kandidatë

Aktuale

​Lansohet digjitalizimi i jurisprudencës, Kurti: Nga viti 2021 deri më sot kanë aplikuar mbi 3 mijë e 200 kandidatë

Më: 17 shtator 2024 Në ora: 15:09
Foto ilustrim

Me qëllim të thjeshtëzimit të procedurave administrative dhe eliminimit të burokracisë, është bërë digjitalizimi i jurisprudencës. Gjatë lansimit, kryeministri Albin Kurti tha se qasja e lehtë dhe e shpejt e shërbimit është obligim i çdo qeverie, meqë shtoi se kjo siguron efikasitet në trajtimin e nevojave të qytetarëve. Ai shtoi se nga viti 2021 e deri më tani kanë aplikuar mbi 3 mijë e 200 kandidatë për provim të jurisprudencës.

Shefi i ekzekutivit u shpreh se në kuadër të programit të qeverisë për transformim digjital po punojnë në reduktimin e barrierës administrative.

Kurti: Nga viti 2021 deri më sot kanë aplikuar 3209 kandidatë për provim të jurisprudencës

“Nga viti 2021 deri më sot kanë aplikuar 3209 kandidatë për provim të jurisprudencës. Prej tyre me sukses e kanë përfunduar 747, apo pothuajse çdo i katërti. Pra, 747 profesionistë të rinj që tash kanë edhe provimin e jurisprudencës. Ne do të vazhdojmë punën e zellshme në drejtim të kompletimit të infrastrukturës së ushtrimit të profesioneve të lira, duke nisur nga mbikëqyrja dhe inspektimi. Infrastruktura dhe sigurimi i kushteve të punës është detyrë e jona. Por është edhe obligim i yni të sigurohemi që agjentët shtetëror punojnë në pajtim me ligjin dhe për qytetarin. Qasja e lehtë dhe e shpejtë ndaj shërbimit është obligim i çdo qeverie, e cila kujdeset për qytetarët e saj. Duke pasur qasje më të lehtë dhe të shpejtë, qytetarëve ju sigurohet efikasiteti në trajtimin e nevojave të tyre”, deklaroi Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se digjitalizimi i jurisprudencës është hap i rëndësishëm dhe mundësi për të përmirësuar qasjen. Ajo tregoi se brenda këtij mandati janë organizuar gjashtë provime të jurisprudencës.

Haxhiu: Reformat në sistemin e profesioneve të lira gjatë këtij mandati kanë qenë të shumta

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe mundësi shtesë për të përmirësuar edhe më tej mënyrën se si menaxhojmë dhe rregullojmë këto profesione. Si ministre e Drejtësisë ndjej përgjegjësi për tu siguruar që sistemi ynë ligjor dhe administrativ të jetë në përputhje me kërkesat bashkëkohore. Reformat në sistemin e profesioneve të lira gjatë këtij mandati kanë qenë të shumta, ndërsa digjitalizimi është njëra nga to. Ne kemi avancuar kornizën ligjore nga fusha e profesioneve të lira dhe me qëllim të lehtësimit të qasjes së qytetarëve në shërbime, në përputhje me zotimet tona para qytetarëve të Republikës së Kosovës kemi zbatuar edhe politika të uljes së tarifave. Kështu është ulur për 50 për qind pagesa e kandidatëve për paraqitjen e provimit të jurisprudencës”, u shpreh Haxhiu.

Ajo tregoi se brenda këtij mandati janë organizuar gjashtë provime të jurisprudencës.

Haxhiu: Digjitalizimi i sistemit të profesioneve të lira ka për qëllim eliminimin e burokracisë

“Digjitalizimi i sistemit të profesioneve të lira ka për qëllim të thjeshtëzojë procedurat administrative, të eliminojë burokracinë e panevojshme dhe të mundësojë që personat përgjegjës të kryejnë aktivitetet e tyre në mënyrë më të shpejt dhe më të efektshme. Ky projekt është shembull i qartë i angazhimit tonë për të forcuar sistemin e drejtësisë dhe për të përmirësuar qasjen në shërbime juridike që janë thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës”, shtoi Haxhiu.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj tha se lansimi i këtij moduli ngrit nivelin e integritetit për provimin e jurisprudencës.

Zogaj: Reforma ka për qëllim që të mos ketë burokraci

“Edhe reforma në drejtësi për krijimin e profesioneve të lira që dikur ishin shërbim gjyqësor ka pikërisht këtë qëllim që qytetari të marrë një shërbim më të lehtë, më efikas dhe me kosto më të lirë e më me pak burokraci që realisht duke marrë një shërbim të mos ketë një ngarkesë. Të gjithë ne kemi detyrën që me arrit nivelin e integritetit të provimit të jurisprudencës edhe në kuptimin profesional por edhe njerëzor për shkak se është porta më e rëndësishme për secilin jurist”, tha ai.

Edhe Johannes Madsen, i cili është udhëheqës i seksionit të bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë tha se lansimi i digjitalizimit është arritje e madhe.

Madsen: Ky modul paraqet një hap përpara dhe transformues

“Ky modul paraqet një hap përpara dhe transformues për të ju ndihmuar profesionistëve jurist për tu integruar në kornizën ligjore dhe kjo do të ndihmojë dhe do të përmirësojë sistemin dhe do të ju ofrojë zyrtarëve një përvojë të re. Përfitimet janë të shumëfishta dhe ky rrugëtim do të jetë për operimin sa më efikas për ata që punojnë dhe mbikëqyrin sistemin. Po krijojmë sistem më transparent që do të sjellë përmirësime për të gjitha palët e përfshira”, përfundoi ai.

Lansimi i digjitalizimit të jurisprudencës është bërë në bashkëpunim me GIZ-in dhe është i qasshëm në eKosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat