Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, i ka kërkuar zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, të tregojë se çfarë ka biseduar të martën në Bruksel, në takim me emisarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.
“Uroj që hapjen e Urës së Ibrit nuk e kanë shtruar si temë diskutimi me palën serbe”, tha ajo.
Sipas saj “ky cënim i sovranitetit dhe kushtetutës tonë, do të ishte i papranueshëm”.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, u takuan të martën ndaras në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, në një raund të ri bisedimesh, mes debateve për situatën në veriun e Kosovës dhe përpjekjeve të BE-së për të shtyrë palët drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Lajçak takoi ndaras të dy palët, por nuk pati një takim trepalësh.
Sipas numrit dy të qeverisë kosovare, ishte Petar Petkoviq ai i cili kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën, por nuk i bëri të ditura se cilat ishin kërkesat.
Gjatë takimit atje, u diskutua edhe çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Përmes njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur se Bislimi ka theksuar se sipas BE-së dhe raporteve të Komisionit Evropian që nga viti 2014, ura duhet të hapet pa vonesa të mëtejme.
“Mbi lirinë e lëvizjes, zëvendëskryeministri e informoi z. Lajçak mbi lehtësimin nga ana e Qeverisë të konvertimit të patentë-shoferëve për qytetarët e komunitetit serb dhe mbështetjes së tyre në këtë proces.
Njëherit, Bislimi ka thënë se kjo çështje është trajtuar e dakorduar në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut.
“Ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, ka deklaruar Bislimi.