A e goditi presidentja Osmani, Edita Tahirin me deklaratën për Urën e Ibrit?

Aktuale

A e goditi presidentja Osmani, Edita Tahirin me deklaratën për Urën e Ibrit?

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 16:49
Edita Tahiri.

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka kundërshtuar përfshirjen e Urës së Ibrit në dialogun me Serbinë, duke e quajtur këtë një shkelje të sovranitetit të Kosovës. Me këtë deklaratë, Osmani ka goditur edhe ish-kryenegociatoren, Edita Tahiri.

Në vitin 2016, atëkohë ministrja për Dialog, Edita Tahiri duke u bazuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi kërkonte të ndodhte hapja e urës.

Ajo theksonte se bashkimi i qytetit të Mitrovicës është i rëndësishëm për gjithë Kosovën.

“Bashkimi i qytetit të Mitrovicës dhe sigurimi i lëvizjes së plotë të lirë në urën e Ibrit janë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës dhe ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të për revitalizimin e urës së Ibrit dhe heqjen e barrikadës në bazë të Marrëveshjes të arritur në Bruksel për këtë çështje“, thoshte atëkohë Tahiri teksa po qëndronte në një vizitë me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirin.

Ndërkohë, sot Osmani u shpreh qartë kundër përfshirjes së temës së urës së Ibrit në dialogun me Serbinë, duke e cilësuar si një shkelje të sovranitetit dhe Kushtetutës së Kosovës.

Sa i përket temave, për atë duhet ta pyesni kryenegociatorin se për çfarë tema është dakorduar, sepse është thënë në publik se janë dakorduar për disa tema së bashku me zotin Lajçak. Mirëpo, po e përsëris, në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, ka thënë Osmani për media të martën pasdite.

Për Osmanin, hapja e Urës së Ibrit është një vendim që duhet të merret me plan të qëndrueshëm dhe të përbashkët me partnerët e sigurisë, duke siguruar që vendimi i marrë të mos sfidohet nga askush.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat