Abdixhiku dërgon telegram ngushëllimi për vdekjen e ish-deputetit, Gerti Bogdani

Aktuale

Abdixhiku dërgon telegram ngushëllimi për vdekjen e ish-deputetit, Gerti Bogdani

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 17:10
Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dërgon telegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të ish-deputetit, Gerti Bogdani.

Në telegram ai ka thënë se humbja e Bogdanit ishte e papritur, dhe është humbje e madhe për shqiptarët.

“E nderuara familja Bogdani, me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të mikut tim dhe të Lidhjes Demokratike, Gerti Bogdani, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi promovimit të vlerave demokratike në Shqipëri e Kosovë. Gerti ishte politikan model duke shërbyer si inspirim për çdo të ri në politikën shqiptare. Ai rrjedhte nga një familje tiranase me traditë dhe u bë përfaqësuesi më i mirë i rinisë shqiptare. Gerti ndihmoi e dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për anëtarësimin e LDK-së në EPP, gjatë kohës sa ishte përfaqësues i PD”.

“Humbja e tij e papritur, është humbje e madhe për shqiptarët, neve dhe të gjithë ata që e njohën. Për ne në Lidhjen Demokratike të Kosovës, bashkëpunimi dhe lidhjet tona me të do të mbeten kujtim i çmuar. Në emër timin personal dhe anëtarësisë së Lidhjes Demokratike, i shprehim ngushëllime gruas Edlirës, prindërve të tij, fëmijëve, gjithë familjes Bogdani, miqve dhe të gjithë atyre që njohën”, thuhet në telegram.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat