Konsiderohen serioze “kërcënimet” e Gjermanisë për largim të Kosovës nga Procesi i Berlinit

Aktuale

Konsiderohen serioze “kërcënimet” e Gjermanisë për largim të Kosovës nga Procesi i Berlinit

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 20:51
Procesi i Berlinit

Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për bllokimin e hyrjes së mallrave serbe mund t’i kushtojë me largim nga CEFTA e dështim të Procesit të Berlinit. Njohës të politikës vlerësojnë se këto deklarata janë serioze dhe si të tilla duhet të mirren parasysh.

Kritikat ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për bllokimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, kanë vazhduar nga shteti gjerman.

Ministrja për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann ka deklaruar të hënën se bllokimi i organizatës rajonale CEFTA rrezikon të dështojë Procesin e Berlinit dhe të parandalojë bashkëpunimin rajonal.

“Manuel Sarrazin po punon shumë për të zhbllokuar CEFTA-n dhe po përpiqet të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme për Kosovën. Ai ka mbështetjen e plotë të qeverisë gjermane, sepse ne ndjejmë se një bllokadë e vazhdueshme rrezikon të dështojë procesin e Berlinit dhe gjithashtu të parandalojë më tej në bashkëpunimin tonë rajonal. Prandaj, ne gjithashtu i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që tani të angazhohet shpejt në një zgjidhje që na lejon të ecim përpara dhe të afrohemi së bashku, dhe gjithmonë mbani mend se Gjermania është mikja e ngushtë e Kosovës dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë jush”, tha ministrja gjermane.

Derisa edhe përfaqësuesi i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, paralajmëroi se Kosova do të ketë pasoja në rast të bllokimit të kësaj nisme rajonale.

Këto “kërcënime” nga një ndër aleatët kryesor të vendit po shihen si serioze, andaj edhe kërkohet reflektim nga ana e Qeverisë.

Ish-diplomati kosovar në Gjermani, vlerëson se me shuarjen e këtij procesi, do t’i hapej rrugë Ballkanit të Hapur, nismë e cila është kundërshtuar vazhdimisht nga pushteti aktual.

“Kemi të bëjmë me tema serioze por njëkohësisht edhe me vende të cilat gjithmonë kanë funksionuar si partnerë tanë në rrugëtimin tonë në etablim ndërkombëtar dhe jo vetëm e para. E dyta po e përsëris është tejet e rëndësishme për Kosovën dhe mendoj që edhe kërcënimet do t’i merrja seriozisht për shkak se dikur humbet durimi edhe i partnerëve tanë dhe thjeshtë s’merren me ne”, tha Blerim Canaj.

Pjesë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore janë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë si parakusht zbatimin e kësaj marrëveshje të njohur si “CEFTA” për t’u integruar në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat