​Haradinaj për Kurtin: Me politikën e tij shou-biz e fuqizoi Serbinë

Aktuale

​Haradinaj për Kurtin: Me politikën e tij shou-biz e fuqizoi Serbinë

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 21:45
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj kritikoi ashpër qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se me politikat e veta të shou-bizit, fotove e sukseseve të ditës e fuqizoi Serbinë dhe e dobësoi pozicionin e Kosovës para aleatëve të saj ndërkombëtarë.

Haradinaj tha se Kurti në veri punoi pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

“Kryeministri i Kosovës nuk ka dashur të ndajë meritën me aleatët për sukses, ka pasur dëshirë të jetë i vetëm që kryen punë. Tani mund të shtojmë shumë dilema përse ka vepruar kështu. Unë i kam mësuar të miat me kohë, por ai nuk ka pranuar të punojë në një plan të përbashkët me Amerikën në veri, e që sot do të rezultonte me të gjitha këto çështje të kryera në veri me rend e ligj, por edhe një pranim ndërkombëtar të sukseseve të Kosovës në veri që do të rezultonte me anëtarësim në KE, kandidaturën për BE dhe anëtarësim në NATO. Kurti me politikën e vet të shou-biz, fotove e të sukseseve të ditës e fuqizoi Serbinë, e bëri si partner më serioz tek aleatët tanë dhe e dobësoi pozicionin e Kosovës deri në atë masë sa ne jemi të ndëshkuar. Nuk është çudi që Vuçiq, i cili është pasardhës i Millosheviqit, duke e parë dobësimin e Kosovës në planin ndërkombëtar inkurajohet të bëjë kërcënime e kërkesa,” deklaroi Haradinaj.

Sipas tij, “arsyet pse është trimëruar Serbia, duke goditur, ashtu siç ka goditur në Banjskë, ka të bëjë me gabimet e Kurtit”.

“Kurti ua ka krijuar terrenin me gabimet e veta, që ata edhe të shpresojnë që nuk do të ndëshkohen. Nuk mbahet siguria vetëm nga puna e ditore. Nëse, Serbia e di që ne i kemi marrëdhëniet shumë të fuqishme me Amerikën, nuk guxon as ëndërr ta shohë Kosovën, por ata i shfrytëzojnë dobësitë tona të na godasin. Kjo i bie që nëse Kurti vazhdon kështu, ata prapë do të inkurajohen”, tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat