Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka publikuar pamje nga arritja e trupave nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas njoftimit, trupat britanikë janë vendosur përkohësisht në Kosovë për stërvitje rutinë bashkë me trupat tjerë.
“Personeli i Mbretërisë së Bashkuar nga Regjimenti Mbretëror i Yorkshire i caktuar në forcat rezervë të NATO-s në mbështetje të misionit të KFOR’it të udhëhequr nga NATO-ja është vendosur përkohësisht në Kosovë, për një stërvitje rutinë me trupat e tjera të KFOR-it”, shkruhet në njoftim.
KFOR-i ka bërë të ditur se stërvitjet kanë për qëllim të testojnë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit.
Ushtrimet do të mbahen nga data e sotme, 18 shtator, deri në fund të tetorit.