Një tjetër përpjekje e emisarit të BE-së, Miroslav Lajcak për t’i ulur në një tavolinë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, ka dështuar.
Pos takimeve të ndara, diplomati sllovak të martën nuk arriti t’i bind kryenegociatorët për takim të përbashkët trepalësh.
Takimi, sipas kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimi, dështoi pasi Serbia e kushtëzoi agjendën e diskutimeve me kërkesa të papranueshme për Kosovën.
Kurse kryenegociatori serb ka insistuar që të diskutohet për urën e Ibrit dhe Asociacionin.
Ky epilog ka qenë i pritshëm për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare Dritëro Arifi, i cili gishtin e fajit e drejton kah Brukseli.
“Po mungon një lloj edhe e seriozitetit edhe e intesiteti i BE-së që këtij dialogu apo pas zotimeve të të dyjave shteteve, që me përmbyllë me një rezultat më të suksesshëm dhe kjo po vërehet faji vetëm te Z. Lajçak por komplet te qasja e BE-së, e sidomos karshi Kosovës. Me këtë qasje të themi duale nuk mund të arrihet asnjë sukses pavarësisht se cila qeveri do të vijë në pushtet”, ka thënë Arifi, Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Por në gjithë këto takime pa rezultate, një gjë pozitive e ka parë njohësi i procesit të dialogut, Bardhyl Hasanpapaj.
Ai thotë se është me rëndësi takimi për urën e Ibrit që kryenegociatori Bislimi e zhvilloi në Bruksel, takim të cilin nuk e bëri publik.
Bëhet fjalë për atë me ndihmëssekretarin e Përgjithshëm për Operacione të NATO-s, Thomas Goffus.
“Nuk është që u bisedua shumë dhe u fol shumë, por e mira është që pala kosovare nëse nuk mund të pajtohet me palën serbe as mbi pikat se çka do të diskutohet, kjo nuk do të thotë që ne të ndalim bashkëpunimi ndërkombëtar dhe sidomos me NATO-n dhe ne nuk do ta koordinojmë çështjen e urës me Serbinë, por patjetër duhet ta koordinojmë me bashkësinë ndërkombëtare, e sidomos me NATO-n dhe KFOR-in”, ka deklaruar Bardhyl Hasanpapaj, Njohës i dialogut.
Lajçak ka shprehur keqardhje pasi nuk arriti të organizojë takimin trepalësh, derisa ka shtuar se vazhdon të jetë në dispozicion të palëve.