Zhvillime në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitarit Halim Berisha i hiqen masat mbrojtëse

Aktuale

Zhvillime në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitarit Halim Berisha i hiqen masat mbrojtëse

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 06:42 Përditësuar në ora: 13:20 më 19.09.2024
Halim Berisha

Berisha mohon ta ketë mbështetur kërkesën për azil në çështjet ku kishte dhënë dëshmi

Dëshmitari Halim Berisha ka përfunduar dëshminë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari u mor në pyetje nga avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Berisha mohoi se në 2006-ën në Francë kërkesën e tij për azil e kishte mbështetur në çështjet ku kishte dhënë dëshmi.

“Jo, nuk e kam mbështetë se atëherë as nuk kam pas ftesë dhe as nuk jam marrë në pyetje për me e mbështetë atë”, tha dëshmitari, duke shtuar se as ndonjë rast për të cilin tashmë ka dhënë dëshmi, nuk është përfshirë në kërkesën e tij për azil në Francë.

Ai theksoi se ka shkuar në Francë dhe ka kërkuar azil për shkaqe ekonomike, si dhe vendimin për rrëzimin e kërkesës së azilit nuk ia ka dhënë ZPS-së pasi sipas tij ata nuk ia kanë kërkuar.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e avokates se Veselit, Ann Rowan, dëshmitari pohoi se komandant i tij ishte Agron Xhemajli, i cili sipas tij ishte shef i Shërbimit Informativ në Brigadën ku ka qenë pjesë.

“Qysh ka punu e çka ka vepru nuk e di. Mua nuk më ka raportu se çfarë detyre kryen. Nuk e di”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Berisha tha se nuk e dinte se nga i kishte kompetencat Agron Xhemajli si shef i Shërbimit Informativ në Brigadë.

Ndryshe, mbrojtja e Selimit përms avokatit Eric Tully tha se nuk ka pyetje për këtë dëshmitar.

Pyetje shtesë nuk kishte nga palët në procedurë, e po ashtu as nga trupi gjykues. Më pas, seanca kaloi në pushim për 20 minuta për të vazhduar më pas me dëshminë dëshmitarit të radhës.

Dëshmitari Berisha për të akuzuarit: S’kam kurrgjë ndaj tyre se nuk i njoh, nuk e di pse jam ftuar për dëshmi

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Halim Berisha tha se nuk i njeh të akuzuarit, nuk ka asgjë ndaj tyre dhe se nuk e di arsyen se pse Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka ftuar për të dëshmuar në këtë gjykim.

“Nuk i njihja, absolut nuk i njoh asnjë dhe nuk e di arsyen se pse me kanë ftu”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përpara kësaj, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, avokates Nina Tavakoli, dëshmitari pohoi se e kishte thirrë dy herë në telefon Prokurorinë për të pyetur se pse duhet të jepte dëshmi në këtë proces gjyqësor, pasi nuk e kishte kuptuar arsyen e kësaj.

Berisha gjithashtu pohoi se i kishte thënë ZPS-së se ai nuk kishte dëshmi kundër të akuzuarve për shkak se nuk kishte asgjë kundër tyre dhe se nuk i njihte.

“Shumë e saktë. Nuk kam kurrgjë ndaj tyre, nuk i njoh. Nuk e di”, tha dëshmitari.

Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtje së Thaçit të përfaqësuar nga avokatja Nina Tavakoli për të vazhduar më pas me pyetjet e mbrojtjes së Veselit e përfaqësuar nga avokatja Ann Rowan.

ZPS: Halim Berisha ka shoqëruar një viktimë të vrasjes për në kompleksin në Zllash, atje e ka parë Salih Mustafën

Në përmbledhjen e lexuar nga prokurori Filipo De Miniçis, Halim Berisha duke respektuar një urdhër kishte shoqëruar një viktimë të vrasjes për në një kompleks në Zllashë ku edhe e kishte parë Salih Mustafën atje.

Sipas prokurorit, dëshmitari më pas kishte dëgjuar se viktima e vrasjes kishte vdekur pas përfundimit të ofensivës serbe.

“Në prill të 99-ës, dëshmitari 04600 duke respektuar një urdhër ka shoqëruar viktimën e një vrasje në një kompleks në Zllashë. Dëshmitari ka parë Salih Mustafën i cili ka qenë duke qëndruar në një ballkon brenda kompleksit dhe ka shkëmbyer përshëndetjet dhe dëshmitari 04600 u largua. Drejtë fundit të prillit të 99-ës pas përfundimit të ofensivës serbe në Zonën e Zllashit dëshmitari 04600 ka mësuar që viktima e vrasjes kishte vdekur”, tha prokurori.

Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi ku iu kërkua që të bëjë identifikime. Për fotografinë e parë që iu prezantua, dëshmitari tha se e njihte vetëm Salih Mustafën aty.

“E njoh vetëm Salih Mustafën. Ka uniformë të larme të UÇK-së dhe kapelën e kuqe me embleme të UÇK-së”, tha dëshmitari.

Në një fotografi tjetër, dëshmitari identifikoi Rrustem Mustafën, Ramush Haradinajn, Rrhamna Ramën dhe Salih Mustafën

“Nga e djathta e imja është fotografia e parë është Remi-Rrustem Mustafa”, tha dëshmitari duke identifikuar edhe të tjerët.

Kurse, për fotografinë e tretë, dëshmitari tha se ishte Salih Mustafa, Ibrahim Mehmeti-Bimi, Adem Shehun dhe Fatmir Humollin. Për Humollin ai tha se e dinte që ka qenë në organizimin e UÇK-së në Zonën Operative të Llapit.

Tutje, për fotografinë e radhës dëshmitari tha se shihte Salih Mustafën, Sejdi Veselin dhe Valon Muratin.

Vlen të theksohet se me kërkesë të ZPS-së u pranuan në prova materiale këto fotografi duke u rrezuar edhe kundërshtimi i avokates së Kadri Veselit, Ann Rowan.

Rowan kishte kundërshtime sa i takon relevancës me arsyetimin se nuk dihet se ku janë bërë, kur janë bërë dhe në çfarë periudhë kohore. Ajo kërkoi që ZPS-ja të shpjegojë relevancën e tyre.

Lidhur me këtë, prokurori tha se këto fotografi përshkruajnë  persona me interes për këtë lëndë gjyqësore dhe gjithashtu vërtetojnë se që dëshmitari ka pasur njohuri lidhur me këto pyetje, çfarë anëtarësie ka pas UÇK-ja dhe çfarë marrëdhënie ka pas dëshmitari me këta persona.

Tutje, dëshmitari tha se sa është formuar Shtabi i Zonës së Karadakut është stacionua në Zllashë.

Në prova materiale u pranuan edhe deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët për autoritetet e drejtësisë por u klasifikuan konfidenciale përveç materialeve përcjellëse.

I hiqen masat mbrojtëse dëshmitarit Halim Berisha

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitarit Halim Berisha, me kërkesë të tij i janë hequr masat mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kërkesa e dëshmitarit u parashtrua nga avokati i tij, Kadri Osaj, për çka u mor vendim në sesion privat për publikun.

Kurse, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se ky dëshmitar ishte intervistuar si i dyshuar në janar të 2020-ës për çka vetë dëshmitari kishte hequr dorë me shkrim nga e drejta e tij për të pasur avokat.

“ZPS-ja e ka intervistuar vërtetë si të dyshuar dëshmitarin në janar të vitit 2020 dhe kjo është bërë në përputhje me rregullat e Rregullores dhe nenin 38 të rregullës 32 dhe 34. U informua qartë, për të drejtat e tij si i dyshuar që të mosfliste dhe të kishte një avokat. Pra, ai hoqi dorë me shkrim nga kjo e drejtë në përputhje me rregullën 33 (3) dhe mbrojta u informua përkatësisht me këtë”, tha prokurori, duke shtuar se dëshmitari ka hequr dorë vullnetarisht nga kjo e drejtë.

Ky dëshmitar është i 87-ti në këtë proces. Dëshmita e tij do të zgjas përafërsisht një ditë.

Sipas gjyqtarit Charles Smith III, pyetjet e ZPS-së parashikohet që të zgjasin një orë, kurse ekipet e mbrojtjes dy orë për kundërpyetjet e tyre.

Ndryshe, katër të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes ashtu si dëshmitari i sotëm. Lidhur me këtë, kryegjyqtari tha se për këtë ka leje.

Po ashtu, është e rëndësishme të përmendet se nuk ka ndonjë njoftim nga Specialja se a ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 86-të, pasi edhe seanca e djeshme ku u dëgjua dëshmia e tij përfundoi në sesion privat.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe dëshmitari i 86-të i ZPS-së dje ka nisur të dëshmojë në gjykatë dje pasdite.

Ky është një tjetër dëshmitar i mbrojtur me pseudonimin W01129. 

Sipas ZPS-së, ky dëshmitar ishte rrëmbyer nga një grup pjesëtarësh të armatosur të UÇK-së afër minierës së Bellaqevcit në Fushë Kosovë në mesin e qershorit 1999 dhe më pas ishte ndaluar në lokacione të ndryshme të zonës. Dëshmitari ka dëshmuar përmes videolidhjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat