Berisha mohon ta ketë mbështetur kërkesën për azil në çështjet ku kishte dhënë dëshmi
Dëshmitari Halim Berisha ka përfunduar dëshminë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari u mor në pyetje nga avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari Berisha mohoi se në 2006-ën në Francë kërkesën e tij për azil e kishte mbështetur në çështjet ku kishte dhënë dëshmi.
“Jo, nuk e kam mbështetë se atëherë as nuk kam pas ftesë dhe as nuk jam marrë në pyetje për me e mbështetë atë”, tha dëshmitari, duke shtuar se as ndonjë rast për të cilin tashmë ka dhënë dëshmi, nuk është përfshirë në kërkesën e tij për azil në Francë.
Ai theksoi se ka shkuar në Francë dhe ka kërkuar azil për shkaqe ekonomike, si dhe vendimin për rrëzimin e kërkesës së azilit nuk ia ka dhënë ZPS-së pasi sipas tij ata nuk ia kanë kërkuar.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e avokates se Veselit, Ann Rowan, dëshmitari pohoi se komandant i tij ishte Agron Xhemajli, i cili sipas tij ishte shef i Shërbimit Informativ në Brigadën ku ka qenë pjesë.
“Qysh ka punu e çka ka vepru nuk e di. Mua nuk më ka raportu se çfarë detyre kryen. Nuk e di”, tha dëshmitari.
Dëshmitari Berisha tha se nuk e dinte se nga i kishte kompetencat Agron Xhemajli si shef i Shërbimit Informativ në Brigadë.
Ndryshe, mbrojtja e Selimit përms avokatit Eric Tully tha se nuk ka pyetje për këtë dëshmitar.
Pyetje shtesë nuk kishte nga palët në procedurë, e po ashtu as nga trupi gjykues. Më pas, seanca kaloi në pushim për 20 minuta për të vazhduar më pas me dëshminë dëshmitarit të radhës.