Kërkesën e Serbisë për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, e sheh si përpjekje të Aleksandar Vuçiqit për rikthimin e kontrollit mbi veriun e populluar kryesisht me serbë.
Sipas Serwerit, kjo po bëhet me qëllimin për ta bllokuar veriun dhe për ta mbajtur gjendjen e status quos.
“Mendoj se ai (Vuçiqi) e ka kuptuar që largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës e ka reduktuar ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe tash institucionet e Prishtinës po rekrutojnë njerëz të rinj, serbë që supozohet se nuk janë besnikë ndaj Beogradit, pra Beogradi nuk ka dashur që ata t’u bashkohen institucioneve. Tani po përpiqet të rifitojë pozitat e saj në veri të Kosovës, duke kërkuar që njerëzit të cilët janë besnikë ndaj Beogradit të kthehen në institucione, për të bllokuar përparimin e mëtejmë të Prishtinës në futjen e serbëve që nuk janë besnikë ndaj Beogradit brenda institucioneve”, deklaron ai.
Serwer shton se nuk është kundër rikthimit të serbëve, porse kjo duhet bërë sipas ligjeve të Kosovës.