Të martën në Pejë u arrestua mësimdhënësja Gjylfidane Morina nën akuzën për mashtrim me subvencione në vlerë 30 mijë euro.
Policia e Kosovës të martën po ashtu bëri të ditur se e njëjta dyshohet se gjatë periudhës kohore 2022/2024 ka mashtruar persona të ndryshëm duke ju premtuar sera të xhamit në formë të subvencionit, por që palët paraprakisht janë obliguar të paguajnë nga 300 deri 400 euro, me qëllim të sigurimit të transportit dhe montimit të tyre.
“Gjatë punës hetimore janë identifikuar dhe intervistuar disa persona si palë të mashtruara dhe vlera e dëmit të përgjithshëm konsiderohet rreth 30,000.00 euro (tridhjetë mijë euro)”, kishte njoftuar policia.
Është kuptuar se tek xhirollogaria e mësimdhënëses ka qarkullim bankar në vlerë prej 300 mijë eurove.
Media ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më datë 28 gusht 2024.
Sipas kësaj aktakuze mësimdhënësja në fjalë në cilësinë e menaxheres së OJQ-ës “NE JEMI PJESË E BOTËS”, me seli kryesore në Fushë Kosovë, dega në Pejë, mashtroi hiq më pak se 14 persona, kinse përmes shoqatës në fjalë do tu ndahen sera si donacion.
Më datë 25.07.2024, Prokuroria Themelore e Pejës kishte filluar hetimet zyrtare në drejtim të veprës penale “Përdorim i paautorizuar i pasurisë” nga neni 420 të KPRK-së, e që me këtë rast pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore si dhe procedimit të të dëmtuarit të rastit, i është dhënë mundësia që edhe e pandehura në prezencë të mbrojtësit të tij të paraqet mbrojtjen lidhur me dyshimet e kësaj Prokurorie.
Pas deklaratës së disa prej të dëmtuarve, mësimdhënësja Gjylfidane Morina ishte marrë në pyetje me 10.06.2024 në stacionin policor në Klinë.
Aty Morina kishte deklaruar se është e vetmja anëtare nga familja e saj që punon dhe se kishte qenë në polici para disa viteve.
“…kam qenë në polici para disa viteve gjegjësisht në vitin 2016 për një rast me një donacion të lopëve e i cili rast ka përfunduar, unë jam anëtare e OJQ “Ne jemi pjesë e botës” e cila funksionin që nga viti 2005 e cila shoqatë është dal nga Këshilli Danez për refugjat…”;, ka deklaruar Morina.
Morina ishte marrë sërish në pyetje me datë 06.08.2024, kësaj radhe nga Prokuroria.
E njëjta kishte deklaruar se “Fillimisht kam qenë punëtore në organizatën daneze për refugjatë shkurt DRC dhe të njëjtit diku në vitin 2005 kanë parashtruar kërkesë që është e nevojshme të krijohej një OJQ e cila do të merret me grande të cilat do të ju dedikoheshin grave sepse edhe në kuadër të DRC kemi qenë të angazhuara në sektorin psiko-social, kështu që unë bashkë me katër kolege të tjera e kemi formuar këtë OJQ me seli në Fushë Kosovë, me seli në Fushë Kosovë meqenëse edhe menagjerja ka qenë e Fushë Kosovës, e edhe menagjimin e rrafshit të Dukagjinit e me rrethinë, kanë qenë në angazhuara edhe zyrtare tjera sepse ne kemi pas të drejtë të veprojmë në tërë Kosovën, deri në vitin 2012 kam qenë punëtore e terrenit në kuadër të OJQ-së në fjalë, e pas kësaj periudhe në mungesë të menagjeres e kam marr detyrën e saj, veprimtaria kryesore e kësaj OJQ-je është, kurse jo formale për gra, zhdukja e analfabetizmit tek shtresat e margjinalizuara, programe psiko-sociale, si dhe ndihma në sektorin e bujqësisë, në cilësi të donacioneve, duke aplikuar me projekt propozime tek donatorët që janë prodhuar nga ana ime, detyrë kjo që vazhdojë ta ushtrojë edhe tani…”;
Tutje në aktakuzë thuhet se, pas analizimit të provave Prokuroria ka arritur të vërtetojë që e pandehura Gjylfidane Morina ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 të KPKR-së dhe kjo për faktin se e njëjta për kundër të insistimeve të shumta nga ana e të dëmtuarve për kthim të të hollave, meqenëse projekti për donacion të serave kishte dështuar, ajo vazhdimisht u kishte shtyrë afatin kohor për kthim të të hollave e për më tepër i kishte shpenzuar të njëjtat për arsye personale.
Tutje në aktakuzë, thuhet se mësimdhënësja Gjylfidane Morina edhe në të kaluarën ishte dënuar 3 herë me aktgjykim të formës së prerë si e dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”.