Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof tha se Shtetet e Bashkuara duan të thellojnë bashkëpunimin me Serbinë dhe se Uashingtoni dëshiron të shohë përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Kasanof, i cili ka qenë në detyrë që nga mesi i korrikut, kur e zëvendësoi Gabriel Escobarin, foli në një panel të Iniciativës “Pupin” të mbajtur në Uashington.
“Qytetarët e Serbisë janë skeptikë për shkak të qasjes së mëparshme të SHBA-ve. Ne duam të thellojmë bashkëpunimin me Serbinë, në Ballkanin Perëndimor dhe në zonën euroatlantike. Në Ballkanin Perëndimor ka aleanca që SHBA-ja i mbështet dhe Serbia i udhëheq ato”, tha ai.
Si një nga sfidat në periudhën e ardhshme, Kasanof përmendi dialogun Kosovë-Serbi.
“Ne duam të shohim përparim atje. SHBA-ja dëshiron të bashkëpunojë me Kosovën dhe Serbinë për të parë se si mund të bëhet përparim që do të kontribuojë edhe në rajon. Ekzistojnë dy lloje perspektive për marrëdhëniet midis Ballkanit dhe SHBA-së. Njëra bazohet në narrativë dhe tjetra në fakte”, thekson mes tjerash ai, raporton Zëri i Amerikës në gjuhën serbe.